Zv.ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj mori pjesë në konferencën shkencore ndërkombëtare “Krimi kompjuterik, kërcënimi kibernetik dhe siguria kombëtare”.

 

Në fjalën e tij para të pranishmëve, Lleshaj tha se Shqipëria është një vend me risk shumë të lartë në fushën kibernetike, qe kushtëzohet si nga shkalla shumë e lartë e penetrimit të internetit, edhe të shërbimeve online dhe të teknologjive të komunikimit.

 

Por Lleshaj shtoi se  Shqipëria po bën edhe një përparim shumë të madh në këtë fushë, pra në fushën e aplikimit të teknologjive moderne të komunikimit, të internetit etj. Ai bëri të ditur se Qeveria shqiptare është në një proces ambicioz të modernizimit të shërbimeve për qytetarët, përmes ofrimit të tyre, përherë e më shumë, përmes platformave elektronike.

 

Duke dhënë disa statistika sa I takon krimeve në këtë fushë, Sandër Lleshaj pohoi se në vendin tonë, në vitin 2017, e krahasuar me vitin 2010, sipas të dhënave të Policisë, janë evidentuar 3.3 herë më shumë vepra penale në fushën e krimeve kompjuterike.

 

Ai tha se kjo fushë e krimit ka rritjen më të lartë në krahasim me të gjithë figurat e krimit me të cilat përballet Policia e Shtetit shqiptar, por në të njëjtën kohë edhe niveli i zbulueshmërisë së tyre është vetëm 27%, rreth 3 herë më i ulët se mesatarja e zbulueshmërisë së krimeve të tjera.

 

 

Policia e Shtetit duhet t’i nënshtrohet një programi rrënjësor transformimi dhe modernizimi, i cili do të mundësojë që ajo të bëhet e aftë për të përballuar sfidat e një shoqërie, që përditë e më tepër ekziston edhe në realitet virtual. Për të ndodhur ky ndryshim i madh dhe i shpejtë duhet që në radhë të parë Akademia e Sigurisë të shndërrohet në promotor të këtij shndërrimi modernizues. Kurrikulat e saj duhet që në mënyrë progresive të krijojnë hapësirë për teknologjinë e informacionit, për programimin kompjuterik, për financat, për ekonominë digjitale. Këtu duhet të mësohet mirë përdorimi i droneve, i sensorëve të tjerë, i sistemeve inteligjente të analizës së informacionit, siguria kibernetike, etj.. Dhe bashkë me hapësirën për këto subjekte shkencore Akademia duhet të hapë dyert dhe të bëhet tërheqëse për një profil të ri studentësh dhe pedagogësh, të cilët janë futur ndërkohë në botën e re, që zotërojnë njohuritë, mjeshtëritë dhe pasionin e domosdoshëm për të lundruar dhe për të pasur sukses në këtë realitet të ri.  Por një gjë është faktor kritik në këtë proces – Koha. Përballimi i kësaj sfide, në dukje të humbur, mund të bëhet vetëm nëpërmjet një qasjeje inteligjente, e cila bazohet te ndërtimi i programeve dhe i ekipeve, të cilat krijojnë shanse për të tejkaluar limitet tona individuale.

 

 

Në fund Sandër Lleshaj deklaroi se hartimi i një strategjie kombëtare për sigurinë kibernetike do të jetë një ndër hapat e rëndësishëm, i cili do të përcaktojë objektivat, rrugët dhe burimet e nevojshme për të realizuar këtë qëllim.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *