Shpërthimi i një bombole gazi në një banesë dykatëshe në fshatin Markatomaj të Lezhës ka shkaktuar plagosjen e gjashtë anëtarëve të një familjeje.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:30, në një moment kur familjarët ndodheshin së bashku.
Në rrethana ende të paqarta, bombola e gazit ka shpërthyer, duke shkaktuar dëmtime të konsiderueshme në banesën dykatëshe. Fatmirësisht, në momentin e shpërthimit, pjesa më e madhe e familjarëve ndodheshin në oborr, ndërsa gjashtë prej tyre kanë mbetur të plagosur.
Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet zjarrfikëse, ambulanca dhe Policia, të cilat kanë ndërhyrë për të vënë situatën nën kontroll dhe për t’u dhënë ndihmën e parë të plagosurve.
Të gjashtë të plagosurit janë transportuar drejt spitalit të Lezhës për të marrë ndihmë mjekësore. Njëri prej tyre, për shkak të gjendjes shëndetësore, është nisur drejt Tiranës për trajtim më të specializuar.
“Rreth orës 20:30, në një banesë në pronësi të shtetasit S. K., 40 vjeç, në fshatin Markatomaj, Lezhë, dyshohet se ka shpërthyer një bombol gazi.
Si pasojë e shpërthimit, kanë marrë dëmtime dy fëmijë të mitur, 10 dhe 13 vjeç, pronari i banesës, shtetasi S. K., 40 vjeç, si dhe shtetaset L. U., 64 vjeçe, L. B., 70 vjeçe dhe V. Gj., 58 vjeçe.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë ndihmuar në transportimin e të dëmtuarve në Spitalin Rajonal të Lezhës.
Shtetasi S. K. është transportuar në Spitalin e Traumës, Tiranë, për trajtim më të specializuar, ndërsa personat e tjerë të dëmtuar ndodhen në Spitalin Rajonal të Lezhës, ku po marrin mjekim dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po punon për dokumentimin e plotë të rastit dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, njofton policia.
/vizionplus.tv





