Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim dhe ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka kanë qenë këtë të martë në depot e municionit në Batalionin Xhenio.
Në një postim në Facebook, krahas fotove të publikuara, Xhaçka shkruan se Shqipëria dhe SHBA-të janë “krah më krah” për rritjen e sigurisë në fushën e mbrojtjes.
Sipas saj, forcimi i kapaciteteve dhe rritja e masave të sigurisë, për depot e municionit në Batalionin Xhenio është synimi i dy vendeve në projektin e përbashkët.
“Krah për krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për rritjen e sigurisë në fushën e mbrojtjes. Me ambasadoren Yuri Kim sot inspektuam punimet për forcimin e kapaciteteve dhe rritjen e masave të sigurisë, për depot e municionit në Batalionin Xhenio, në bashkëpunim me Departamentin Amerikan të Mbrojtjes. Ky projekt, synon rritjen e kapacitetit të Forcave tona të Armatosura për të kufizuar rrezikun e ngjarjeve shpërthyese dhe të devijimit të paligjshëm, të municioneve dhe materialeve shpërthyese. Mbështetja e aleatëve për FA është pasqyra më e mirë e vlerësimit për Shqipërinë, si aleat i denjë dhe vend i sigurt.”





