Gjashtëmujori i parë i këtij viti është shoqëruar me një kërkesë më të lartë për energji elektrike se e njëjta periudhë e një vit më parë. Të dhënat nga OSHEE tregojnë se në periudhën janar-qershor janë konsumuar 4.4 milionë megavat/orë energji elektrike.
“Nëse krahasojmë qershorin e vitit 2025 me këtë vitit 2026, ka një rritje prej 13.7%. Nëse krahasojmë gjashtëmujorin e parë 2025 me atë të 2026, ka një rritje të konsumit rreth 10%”, tha Llambi Miti, operatori i Sistemit të Shpërndarjes
Përballë konsumit të lartë të energjisë, OSHEE thotë se ka investuar për të shmangur ndërprerjet në furnizim, veçanërisht gjatë sezonit veror, periudhë kur në terren do të jenë në gatishmëri 130 grupe pune.
“Plani i investuimeve përfshin të gjithë hartën e Shqipërisë dhe nis nga Velipoja, ku ne këtë vit kemi vënë në eficencë dhe në punë një nënstacion të ri me dy transormatorë me fuqi të instaluar 40 mega. Në Shëngjin kemi investuar po ashtu, këtë vit kemi shtuar edhe një fider tjetër. Përmend Spitallën që vjet është ankuar për nivel të ulët tensioni. Këtë vit kemi vendosur një transformator të ri. Në Ksamil kemi shtuar një fider të ri 20 kilovolt duke rritur garancinë e furnizimit me energji elektrike. Kemi në terren 1.030 njerëz të amgazhuar në terren”, shtoi operatori Miti.
Në rastet kur kanë ndërprerje të furnizimit me energji, OSHEE thotë se qytetarët mund të telefonojnë për të adresuar problemin.





