Subscribe

Një kompani që pretendon se bën matjet e audiencës televizive “Telemetrix”, po sfidon në mënyrë të vazhdueshme vendimet e gjykatave, duke mos i përfillur ato.

 

“Telemetrix” refuzon të zbatojë dy vendime gjykate, që e ndalon atë të prodhojë dhe të publikojë të dhëna mbi audiencën e “Media Vizion” si dhe “Top Channel”.

 

Refuzimi prej tre vitesh për të zbatuar vendimet e drejtësisë, ngre pikëpyetje të forta lidhur me qëllimin e vërtetë që kjo kompani ka në aktivitetin e saj.

 

Sikur të mos mjaftonte fakti që pronarët e vërtet, përfitues të saj, janë të paqartë dhe kanë ndryshuar ndër vite, kompania duket se qëllim ka manipulimin e të dhënave në treg.

 

Edhe pse vendimet e gjykatës janë marrë në korrik të vitit 2020, nga të dy subjektet televizive “Vizion Plus” dhe “Top Channel”, janë dërguar shkresa zyrtare ku kërkohet ndalimi i monitorimit dhe transferimi tek të tretet i të dhënave, kompania vijon të refuzojë.

 

I gjithë aktiviteti i kompanisë “Telemetrix” është i pabesueshëm ndaj dhe vendimet e gjykatës i japin të drejtë dy subjekteve televizive paditëse.

 

Gjykata në këtë mënyrë i ka dhënë fund një abuzimi disa vjeçar të kësaj kompanie lidhur me të dhënat e paplota, pse jo dhe të manipuluara që “Telemetrix” ofron në treg.

 

Mbi të gjitha deri më tani kompania nuk ka arritur të qartësojë mënyrën e matjes së audiencës dhe besueshmërinë e të dhënave që ajo prodhon.

 

Të dy subjektet televizive “Media Vizion” dhe “Top Channel” kërkojnë që ajo të ndalojë përpunimin dhe publikimin e të dhënave, në të kundërt do të vijojnë të ndjekin penalisht abuzimin e saj në treg, abuzim i cili ka shkaktuar dëme të konsiderueshme për dy kompanitë televizive.

 

Nga ana tjetër është detyrë e autoriteteve gjyqësore dhe administrative që të ndjekin zbatimin e vendimeve të gjykatave, pasi kjo sjellje krijon një situatë të paprecedentë dhe të rrezikshme për drejtësinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *