Në Tiranë është finalizuar operacioni policor i koduar “Barriera” ku është goditur një rast i tentativës për shitje armësh zjarri dhe është arrestuar në flagrancë Ligori Mehmet 48 vjeç banues në Tiranë.
Operacioni është zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr 4 mbi bazën e informacioneve operative për një shtetas që posedonte armë zjarri dhe dyshohej se i shiste në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Arrestimi është kryer në zonën e Tufinës në rrugën “Myslym Keta” ku shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin që drejtonte 48 vjeçari gjatë lëvizjes së tij.
Gjatë kontrollit në automjet janë gjetur dhe sekuestruar 3 armë zjarri konkretisht 2 pistoleta dhe 1 armë taktike luftarake si dhe 3 krehra me municion.
Sipas hetimeve paraprake armët dyshohet se do të shiteshin në zonat e Freskut dhe Tufinës me çmime që varionin rreth 1500 euro për çdo pistoletë dhe deri në 8000 euro për armën taktike.
Në kuadër të hetimeve është sekuestruar edhe automjeti me të cilin lëvizte i arrestuari si dhe celulari i tij që do të ekzaminohet për të zbuluar lidhje të mundshme me persona të tjerë të përfshirë.
Ligori Mehmet dyshohet prej kohësh i përfshirë në trafik armësh ndërsa po verifikohet rrjeti i mundshëm i shpërndarjes.
Në drejtimin e Prokurorisë së Tiranë vijojnë hetimet për identifikimin dhe ndjekjen penale të personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
/vizionplus.tv





