Miratuan Territorialen me 85 vota, Balla mesazh opozitës: Qentë le të lehin, karvani europian ecën përpara

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas miratimit me 85 vota pro të reformës së re administrativo-territoriale, duke publikuar në rrjetet sociale pamje nga tensionet e krijuara në sallën e Kuvendit.
Në videon e publikuar në Facebook shfaqen momentet kur deputetë të opozitës qëllojnë me shishe uji në drejtim të kryeministrit Edi Rama, pas votimit të reformës.
Përmes reagimit të tij, Balla akuzoi opozitën se po përpiqet të pengojë reformat përmes dhunës, ndërsa theksoi se Partia Socialiste do të vijojë procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
“Kush mendon se me molotovë, gurë, vezë, bidona uji jashtë dhe brenda sallës së Kuvendit do ta pengojë Partinë Socialiste të realizojë reformat që i duhen Shqipërisë sonë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, i ka bërë llogaritë gabim”, shkruan Balla.
Ai e cilësoi votimin e reformës një hap të domosdoshëm, duke argumentuar se përfituesit e projekteve të zhvillimit që sjell anëtarësimi në BE do të jenë komunitetet dhe banorët e bashkive.
“Besoj se votimi i mbrëmshëm unanim nga ne në Kuvend i kësaj faze të domosdoshme të Reformës Administrative Territoriale flet vetë. Komunitetet e bashkive, banorët janë përfituesit e projekteve të zhvillimit që sjell anëtarësimi në BE”, shkruan Balla.
Në fund të reagimit, Balla përdori një shprehje popullore për të nënvizuar se, sipas tij, kundërshtimet e opozitës nuk do ta ndalin rrugën europiane të Shqipërisë.
“Si thotë populli në këto raste qentë le të lehin, karvani Europian i Shqipërisë ecën përpara”, përfundon Balla.




