Hasani: Beogradi prej 6 muajsh pa ambasador, të forcohet diplomacia shqiptare në rajon

Kryetari i Komisionit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, kërkon plotësimin e pozicioneve vakante në përfaqësitë diplomatike të Shqipërisë në rajon dhe në organizatat ndërkombëtare.
Ai u shpreh se Shqipëria ka prej gjashtë muajsh pa ambasador në Beograd, ndërsa kërkoi që projektet dhe iniciativat diplomatike të mos ndërpriten sa herë ndryshojnë drejtuesit.
“Zoti Skapi, siç e dëgjuat në të gjithë bashkëbisedimin me të gjithë kolegët e pranishëm, roli i faktorit shqiptar është shumë i rëndësishëm. Dhe në rastin e Kosovës, njohja e Kosovës në organizatat ndërkombëtare është shumë e rëndësishme. Prandaj do t’ju lutesha shumë që… dhe shpresoj që të mos jetë pjesë e asaj rutinës shpesh vrastare të administratës tonë që pozicione të rëndësishme ambasadorësh në rajon të plotësohen. Kemi Beogradin prej gjashtë muajsh pa ambasador.
Kemi organizatat ndërkombëtare ku ne duhet të ngremë zërin e shqiptarëve pa ambasador, prej gjashtë muajsh. Në mënyrë që dhe ky netuorku i angazhimit të mos jetë vetëm një netuork angazhimesh dypalëshe, por të jetë një strukturë, siç e kemi dakordësuar së bashku kur kemi qenë ministër i Jashtëm edhe me kolegët ambasadorë, i mirëstrukturuar, i mirëpunuar. Dhe çdo iniciativë që ka nisur vitin e parë, që nga koha e zotit Caka, i cili kishte dhe diplomatë të dedikuar për çështjet e Kosovës në përfaqësi të caktuara, apo kur kemi punuar bashkë për të ndihmuar Prishtinën për çështje të integrimit, të protokollit e me radhë, të mos ngelen vetëm ide të atyre njerëzve që kanë qenë në zyra dhe pastaj të fillojmë të gjitha gjërat nga zero.
Jam i bindur, siç e thashë në fillim, që përfaqësia më e madhe e Republikës së Shqipërisë duhet të jetë në Prishtinë dhe Shkup. Aty janë interesat tona direkte. Nuk mund ta trajtojmë Prishtinën dhe Shkupin si vendet e Evropës Qendrore apo të Azisë së Afërt, por duhet t’i trajtojmë si vazhdim natyral të projekteve kombëtare.
Dhe mbetem në gatishmëri të plotë që edhe këtë diskutim kaq të mirë që patëm sot (kemi gati dy orë që diskutojmë), ta vazhdojmë dhe me kandidatura të tjera që do sillni për ato pozicione vakante që janë thelbësore në vazhdimin e këtyre projekteve të angazhimit të forcimit të faktorit shqiptar në rajon. Vërtet, dhe këtu e mbyll, vërtet shpresoj që edhe strukturat që kemi diskutuar (e dëgjova dhe te zoti Mejdani, kemi rënë dakord, kemi pasur një projekt për të ngritur dhe një Agjenci Zhvillimi) të mos zhduken, të mos harrohen, të mos i lihen të shkuarës…”, tha Hasani.
Hasani kërkoi vijimësinë e angazhimit diplomatik dhe ruajtjen e përvojës institucionale, duke vënë theksin te roli strategjik i Prishtinës dhe Shkupit në interesat kombëtare të Shqipërisë.




