EMRAT/ Kishin planifikuar vrasje, kush janë tre të rinjtë e arrestuar në Lezhë, policia: Lëviznin me armë dhe skafandra

Policia e Lezhës ka parandaluar një vrasje të planifikuar, duke vënë në pranga tre persona, të dyshuar për bashkëpunim në organizimin e krimit. Operacioni policor u kodua “Detajet” dhe u zhvillua në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër.
Sipas policisë, dy prej të arrestuarve lëviznin të armatosur dhe me skafandra me një motomjet në rrugën e vjetër “Pllanë-Lezhë”, me qëllim kryerjen e vrasjes. Personi i tretë dyshohet se bashkëpunonte me ta, duke i ndihmuar të largoheshin me automjet nga zona ku ishte planifikuar krimi.
Në pranga ranë Elden Tarja 25 vjeç, banues në Barbullush, Kristian Ymeri(Shkambi);, 34 vjeç, banues në Kamzë, dhe Vinçesk Piroli, 38 vjeç, banues në Kurbin. Sipas njoftimit zyrtar, 38-vjeçari ka precedentë të shumtë penalë për krime kundër personit, brenda dhe jashtë vendit.
Ndërhyrja e policisë u bë pas marrjes së informacionit për lëvizje të dyshimta të dy personave me skafandra në rrugën “Pllanë-Lezhë”. Pas kontrolleve dhe patrullimeve në zonën e Lezhës dhe në drejtim të Shkodrës, në aksin “Gjadër-Barbullush” u ndalua një automjet tip “Volkswagen”, ku udhëtonin tre të dyshuarit.
Gjatë kontrolleve fizike, në motomjet dhe në banesën e njërit prej të arrestuarve, policia sekuestroi tri pistoleta me krehra e fishekë, municion luftarak, si dhe automjetin dhe motomjetin e dyshuar të përdorur në këtë rast. Nga verifikimet rezultoi se motomjeti ishte i vjedhur në Suedi. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.




