Ndryshime të shumta janë bërë në kupolën drejtuese të Policisë së Shtetit, pas firmosjes së mbi 33 urdhrave nga drejtori i përgjithshëm Skënder Hita. Lëvizjet prekin 12 drejtoritë vendore, duke sjellë një riorganizim të gjerë në strukturat drejtuese.
Siç raporton gazetari i Vizion Plus Esido Barkaj për Live në Mëngjes, ndryshe nga praktikat e mëparshme, këtë herë janë përzgjedhur emra më pak të përfolur publikisht dhe që nuk janë përmendur në çështje nga organet e drejtësisë apo akuzat politike.
Ndër emërimet kryesore spikat vendosja e Oliger Torba si zëvendësdrejtor për krimin në Policinë e Tiranës. Ai ka një karrierë të gjatë në radhët e policisë, duke mbajtur poste të rëndësishme si në kryeqytet ashtu edhe në qarqe të tjera, përfshirë Fierin.
Një tjetër emër i rëndësishëm është Erjon Ahmeti, i cili është komanduar në krye të Policisë në Fier. Ai ka mbajtur më herët poste drejtuese, përfshirë drejtimin e Policisë në Korçë dhe strukturave të qarkullimit rrugor në Tiranë.
Në strukturat qendrore, Alban Dauti është vendosur në krye të Policisë Operacionale, ndërsa drejtimi i Antiterrorit i është besuar Edmond Sulaj.
Ndryshime janë bërë edhe në qarqe të tjera, ku Petrit Halo është komanduar zëvendësdrejtor në Shkodër, ndërsa Arben Nasufi është emëruar në Lezhë, duke mbajtur përkohësisht edhe drejtimin e këtij qarku pas dorëheqjes së ish-drejtorit.
Burime bëjnë me dije se priten edhe lëvizje të tjera në ditët në vijim, veçanërisht në nivel zëvendësdrejtorësh dhe drejtuesish komisariatesh.
Ndërkohë, paralelisht me këto ndryshime, pritet edhe rishikimi i ligjit për Policinë e Shtetit. Ministria e Brendshme po shqyrton mundësinë e heqjes së konkurseve për drejtorët vendorë dhe shefat e komisariateve, për të shmangur vonesat dhe problematikat e hasura në emërime, ndërsa drejtori i përgjithshëm pritet të vijojë të zgjidhet me konkurs.
/vizionplus.tv





