Për të rikuperuar sadopak dëmin e shkaktuar në zonat pyjore në Shqipëri, Bashkimi Europian ka vënë në dispozicion një fond prej 16 milionë eurosh për procesin e ripyllëzimit, i cili ka nisur në zonën e Malit të Dajtit.
“Projekti EU Forest prej 16 milionë eurosh është një projekt i Bashkimit Europian, në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe partnerët italianë, me qëllim zhvillimin e sektorit të pyjeve në Republikën e Shqipërisë. Gjatë gjithë periudhës së zbatimit të projektit, do të angazhohemi me ngritjen e fidanishtes shtetërore kombëtare. Gjithashtu do të kryhen ripyllëzime në zonat e degraduara, kryesisht nga zjarret apo nga degradimi urban, si dhe do të ngrihen strukturat e duhura për menaxhimin e pyjeve”, tha Sofjan Jaupaj, ministër i Mjedisit
Ky projekt, sipas ministrit, përbën një pikë shumë të rëndësishme për përmirësimin e pyjeve në vend dhe një bonus për sa i përket grupkapitullit 27, atë të mjedisit, një ndër më të rëndësishmit në procesin e integrimit.
“Shqipëria ka përfunduar regjistrimin e fondit pyjor përmes Agjencisë Kombëtare të Kadastrës, që arrin në rreth 2 milionë hektarë fond pyjor, një vlerë e shtuar gjatë procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ky lloj financimi është angazhimi më i madh i marrë për biodiversitetin nga partnerët tanë ndërkombëtarë, në mënyrë që të përmbushim të gjitha angazhimet tona për integrimin në Bashkimin Europian, por edhe për mbrojtjen e mjedisit brenda vitit 2027”, shtoi ministri.
Ministri theksoi se projekti do të shtrihet në 10 zona prioritare, duke nisur nga masivet pyjore në jug të vendit e deri në Alpet e Shqipërisë.





