Një luftë e gjatë dhe e vështirë në Iran ka dobësuar aq shumë fuqinë ushtarake amerikane, sa analistët kinezë po vënë hapur në dyshim aftësinë e Uashingtonit për të mbrojtur Tajvanin. Ky ndryshim në mënyrën si po shihet situata rrezikon të dobësojë pozitën e presidentit Trump në samitin e rëndësishëm javën e ardhshme me liderin kinez, Xi Jinping.
Që nga fillimi i luftës në fund të shkurtit, Shtetet e Bashkuara kanë përdorur rreth gjysmën e raketave të tyre të fshehta me rreze të gjatë veprimi dhe kanë lëshuar afërsisht 10 herë më shumë raketa Tomahawk sesa blejnë zakonisht në një vit, sipas vlerësimeve të brendshme të Departamentit të Mbrojtjes dhe zyrtarëve të Kongresit.
Për disa analistë ushtarakë dhe gjeopolitikë kinezë, lufta jo vetëm që ka pakësuar rezervat amerikane të armëve, por ka shkatërruar edhe imazhin e dominimit amerikan. Ata thonë se kjo ka nxjerrë në pah një dobësi të madhe në strategjinë ushtarake të SHBA-së: pamundësinë për të prodhuar armë mjaftueshëm shpejt për të zëvendësuar arsenalin gjatë një konflikti të gjatë dhe intensiv.
Ky pakësim i rezervave “ka dobësuar ndjeshëm aftësinë e ushtrisë amerikane për të treguar forcën e saj luftarake, duke zbuluar mangësitë e hegjemonisë së saj ushtarake globale”, tha Yue Gang, kolonel në pension i Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Kinës, në një intervistë.
Këto argumente po ushqejnë narrativën e komentatorëve nacionalistë kinezë dhe ndoshta edhe të vetë qeverisë, se forcat amerikane nuk do të ishin më në gjendje të mbronin në mënyrë efektive Tajvanin nëse SHBA-ja dhe Kina do të hynin në luftë për ishullin vetëqeverisës. Logjika e nacionalistëve kinezë është se, nëse SHBA-ja nuk ka arritur të fitojë shpejt ndaj Iranit, një fuqi ushtarake rajonale, atëherë do ta kishte edhe më të vështirë kundër Kinës, të cilën ata e shohin si rivale të barabartë.
Nga ky këndvështrim, ngërçi i SHBA-së me Iranin dobëson pozitën e Trump-it përpara bisedimeve me Xi javën e ardhshme.
“Trump fillimisht synonte të vizitonte Kinën me imazhin e një fituesi të shpejtë, duke përdorur pozitën e tij për të rritur presionin ndaj Kinës”, tha Yue. “Por tani, me konfliktin që ka mbetur në vend dhe fushatën ushtarake që është bllokuar, ai ndodhet në një pozitë të vështirë.”
Ai shtoi se Trump “nuk do të jetë në gjendje të tregojë të njëjtën arrogancë”.
Trump pritet të kërkojë marrëveshje me Xi-në për të ndihmuar në uljen e deficitit tregtar të SHBA-së me Kinën. Kjo mund të përfshijë premtime nga Pekini për të blerë më shumë sojë amerikane dhe avionë Boeing. Trump gjithashtu do t’i bëjë presion Xi-së për blerjet e vazhdueshme të naftës iraniane nga Kina, tha të mërkurën për Bloomberg TV përfaqësuesi amerikan i tregtisë, Jamieson Greer.
Nga ana e saj, Kina kërkon të stabilizojë marrëdhëniet me administratën Trump dhe të zgjasë armëpushimin tregtar, në mënyrë që të përqendrohet te ringjallja e ekonomisë dhe zhvillimi i teknologjive të saj.
Pekini dëshiron që administrata Trump të ulë mbështetjen për Tajvanin. Xi e paralajmëroi Trump-in në shkurt se Kina “nuk do të lejojë kurrë ndarjen e Tajvanit nga Kina”, ndërsa i kërkoi që të tregojë “kujdes” në trajtimin e shitjeve të armëve amerikane për ishullin. (Administrata Trump që atëherë ka shtyrë shpalljen e një pakete shitjesh armësh për Tajvanin për të mos zemëruar Xi-në.)
Ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, ka lënë të kuptohet se Pekini mund të kërkojë një lloj përparimi. Në një telefonatë muajin e kaluar me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, Wang kërkoi që Kina dhe SHBA-ja të “hapin hapësira të reja” për çështjen e Tajvanit, megjithëse nuk dha detaje.
Kina sheh një fuqi në rënie
Përpara samitit, të dy vendet janë përpjekur të ruajnë një qetësi neutrale, edhe pse të tensionuar. Kina ka mbajtur një qëndrim të kujdesshëm në komentet për luftën SHBA-Izrael kundër Iranit, një konflikt që thotë se e ka kundërshtuar që në fillim. Xi i është afruar kritikës ndaj Trump-it pa ia përmendur emrin, kur dënoi shkeljen e ligjit ndërkombëtar si një “rikthim te ligji i xhunglës”.
Përpjekja për të ruajtur marrëdhënie të mira, të paktën për momentin, mund të shpjegojë pse mediat shtetërore kineze kanë qenë të kujdesshme në komentet për dobësitë ushtarake amerikane si rezultat i luftës në Iran.
Raportet dhe komentet përmendin pakësimin e raketave dhe zhvendosjen e burimeve amerikane, por zakonisht ndalen pa e paraqitur luftën si një përfitim strategjik për Kinën, tha Manoj Kewalramani, drejtues i studimeve Indo-Paqësore në Institutin Takshashila në Bangalore të Indisë, i cili ndjek mediat kineze.
Një përjashtim i rëndësishëm ishte një ese në Qiushi, revista kryesore teorike e Partisë Komuniste, e cila argumentonte se “konflikti ka konsumuar tej mase burimet strategjike amerikane, duke e lënë potencialisht vendin në një pozitë të rrezikshme”. Një tjetër ishte një editorial i Global Times, gazetë nacionaliste e kontrolluar nga Partia Komuniste, që shkruante se nëse ushtria amerikane nuk do të ishte në gjendje të shpërndante armë nëpër botë, atëherë do të ishte një “gjigant që çalon”.
Hu Xijin, ish-redaktori me ndikim i Global Times, tha se problemet në zinxhirin amerikan të furnizimit me armë, të zbuluara nga lufta, i japin Pekinit jo vetëm avantazh material, por edhe psikologjik në çdo luftë të mundshme për Tajvanin.
“Nëse e shohim situatën si një lojë strategjike besimi mes Kinës dhe SHBA-së për Ngushticën e Tajvanit, si një lojë shahu, të themi, Shtetet e Bashkuara janë pranë humbjes së të gjithë gurëve të tyre “, tha Hu në një intervistë.
Por edhe ushtria kineze ka problemet e saj
Shtëpia e Bardhë dhe zyrtarët ushtarakë amerikanë hedhin poshtë idenë se operacionet në Lindjen e Mesme kanë dobësuar pozicionin e Uashingtonit në Azi. Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka thënë se frenimi i Kinës “përmes forcës” është një nga katër prioritetet kryesore të Departamentit të Mbrojtjes.
I pyetur gjatë një seance në Senat muajin e kaluar nëse burimet që po zhvendosen drejt Lindjes së Mesme po dobësojnë gatishmërinë ushtarake amerikane në Paqësor, admirali Samuel J. Paparo Jr., kreu i Komandës Indo-Paqësore të ushtrisë amerikane, tha: “Nuk shoh ndonjë kosto reale që po ndikon në aftësinë tonë për të frenuar Kinën.”
Megjithatë, ka shumë pikëpyetje edhe për gatishmërinë ushtarake të vetë Kinës. Jo vetëm që Ushtria Çlirimtare Popullore nuk është testuar në një konflikt të madh prej gati pesë dekadash, por edhe drejtuesit e saj më të lartë janë përfshirë në trazira për shkak të spastrimeve politike dhe goditjeve kundër korrupsionit.
Në krahasim me këtë, ushtria amerikane tregoi fuqinë e saj duke vrarë drejtuesit e Teheranit, duke marrë kontrollin e hapësirës ajrore mbi Iranin dhe duke dërguar forca speciale në territor armik për të shpëtuar një pilot të rrëzuar.
“Shtetet e Bashkuara kanë treguar me shumë sukses aftësitë e tyre në kohë lufte në një mënyrë që Kina duhet ta marrë seriozisht”, tha Drew Thompson, ish-zyrtar i Pentagonit dhe tani studiues i lartë në Shkollën S. Rajaratnam për Studime Ndërkombëtare në Singapor.
Thompson paralajmëroi gjithashtu kundër krahasimit të konfliktit në Iran me një luftë për Tajvanin. Në mbrojtje të ishullit, SHBA-ja do të mbështetej kryesisht te raketat kundër anijeve, të cilat janë përdorur shumë pak kundër Iranit, për të goditur flotën pushtuese kineze.
Një mesazh për aleatët e SHBA-së
Edhe pa shkuar në luftë, Kina mund të tregojë vështirësitë me të cilat po përballet administrata Trump dhe t’u thotë aleatëve amerikanë në Azi se Uashingtoni nuk mund të konsiderohet më një garant i besueshëm sigurie.
“Kur aleatët përballen me pasiguri për vendosjen e forcave dhe vonesa në pajisje ushtarake, kjo në mënyrë të pashmangshme ngre pyetje për besueshmërinë dhe vazhdimësinë e garancive të sigurisë amerikane në rajon”, tha Wang Dong, drejtor ekzekutiv i Institutit për Bashkëpunim dhe Mirëkuptim Global në Universitetin e Pekinit.
Ai shtoi se SHBA-ja “po përballet me kufijtë e pranisë së saj ushtarake globale”.Në fund, lufta në Iran mund ta inkurajojë Kinën të bëhet më agresive në Azi përmes taktikave të ashtuquajtura “zona gri”, lëvizje agresive që nuk arrijnë deri në nxitjen e një lufte të plotë. Për shembull, gjatë muajve të fundit, Kina ka ndërtuar një ishull në ujërat e diskutueshme pranë brigjeve të Vietnamit, gjë që do ta ndihmojë të forcojë kontrollin mbi Detin e Kinës Jugore.
Megjithatë, Pekini nuk ka gjasa të përshpejtojë planet për të pushtuar Tajvanin, tha Brian Hart, studiues në projektin China Power pranë Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.
Sipas tij, çdo plan i tillë do të varej kryesisht nga “faktorë politikë”, si për shembull një veprim i papritur i Tajvanit për të shpallur zyrtarisht pavarësinë.





