Xhamia e madhe e Al Nurit në qytetin e Mosulit ne Irak nuk ekziston më.

 

E ndërtuar në vitin 1172 ajo u rezistoi më shumë se 800 viteve, por një ditë më parë xhamia me minaren e saj të famshme u shkatërrua, pasi u hodh në erë nga Shteti Islamik.

 

Në vitin 2014 nga kjo xhami udhëheqësi i ISIS Abu Bakr Al Bagdadi u shfaq për të vetmen herë për të shpallur krijimin e kalifatit islamik,që përfshinte pjesë të Sirisë dhe Irakut.

 

Ushtria irakiane njoftoi shkatërrimin nga luftëtarët e ISIS pas afrimit të trupave të saj, por agjencia e lajmeve e Shtetit Islamik Amaq, dha një tjetër version. Sipas saj, një avion amerikan e bombardoi dhe e rrafshoi atë, pretendim i hedhur poshtë nga një zëdhënës i koalicionit kundër ISIS dhe nga ministria irakiane e Mbrojtjes.

 

Kryeministri irakian Haider al-Abadi u shpreh se kjo ngjarje shënon deklaratën zyrtare të disfatës së ISIS.

 

Shkatërrimi i xhamisë është dënuar nga autoritetet irakiane si krim kundër popullit, pasi ajo konsiderohej një nga thesaret e mëdha të vendit.

 

Mijëra forca irakiane të sigurisë, luftëtarët kurdë Peshmerga, te mbështetur nga forcat e koalicionit kundër terrorizmit janë përfshirë prej muajsh në betejën për të rimarrë qytetin kyç.

 

Në janar qeveria shpalli çlirimin e pjesës lindore, por marrja e perëndimit ka qenë deri tani e pamundur. OKB ka paralajmëruar se ISIS mund të mbajë si mburoja njerëzore më shumë se 100 mijë civilë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *