Një zyrtar i lartë i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit tha se Teherani do të detyrohej të bënte një “hap strategjik” në rritjen e kapaciteteve të raketave të tij, nëse shtetet Perëndimore tentojnë t’i kufizojnë ato.

 

“Nëse evropianët, apo kushdo tjetër, dëshiron të komplotojë që t’ia heq raketat Iranit, ne do të detyrohemi të bëjmë një hap strategjik”, tha zëvendëskomandanti i Gardës, Gjenerali Hossein Salami për median shtetërore iraniane.

 

Ai i paralajmëroi “evropianët dhe të tjerët” se duhet “të pajtohen me realitetin e ri të fuqisë raketore të Iranit: nuk ka pengesa apo kufizime teknike që ne ta zgjerojmë gamën e tyre”.

 

Salami tha se po zhvillon teknologjinë e raketave të saj, në përputhje me “strategjinë e mbrojtjes”.

 

Deklarata e tij vjen pak kohë pasi Irani njoftoi se ka kryer “me sukses” testimin e një rakete të re, me rreze veprimi prej më shumë se 1,350 kilometrash.

 

Testimi i raketës, që u bë më 2 shkurt, erdhi pikërisht në ditën kur Irani festoi përvjetorin e Revolucionit Islamik të vitit 1979.

 

Ministri i Mbrojtjes së Iranit, Amir Hatami tha se raketa Hoveizeh ka goditur me sukses objektivat e përcaktuar.

 

Megjithatë, testimi i kësaj rakete nuk ka mundur të konfirmohet në mënyrë të pavarur.

 

Njëra nga arsyet se pse Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015, e cila lehtësonte sanksionet ekonomike ndaj Iranit, në këmbim të frenimit të programit bërthamor, ishte se Irani nuk ka hequr dorë nga zhvillimi i raketave dhe mund të paraqesë rrezik për Izraelin.

 

Rezoluta 2231 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e miratuar më 2015, i bën thirrje Teheranit “të heqë dorë nga zhvillimi i raketave me kapacitet bërthamor prej një periudhe prej 8 vjetësh”.

 

Teherani thotë se raketat e tij nuk mund të bartin koka bërthamore./ REL

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *