Subscribe

Bizneset që gjatë aktivitetit të tyre shkaktojnë ndotje të ajrit dhe mjedisit do të përballen me gjoba deri në 30% më të larta.

Pas mbledhjes së qeverisë, ministrja Mirela Kumbaro njoftoi ndryshimet ligjore që ashpërsojnë masat administrative, jo vetëm me qëllim ndëshkimin e operatorëve, por edhe për ndërgjegjësimin e tyre.

“Për arsye proceduriale dhe burokratike, gjobat bëheshin vështirësisht të ekzekuteshme për shkak të periudhave shumë të gjata të ankimimit, duke humbur efikasitetin e tyre në mbrojtjen e mjedisit. Të gjitha masat ndëshkimore të parashikuara në këto katër ligje rriten me rreth 30% por më e rëndësishmja është që ato kthehen menjëherë në titull ekzekutiv për të ruajtur efektin e tyre ndëshkues, korrektues dhe edukues”, tha Kumbaro.

Bizneset, sipas ministres, janë të detyruar të investojnë që gjatë aktivitetit të tyre industrial të reduktojnë emetimin e lëndëve të dëmshme në ajër dhe mjedis.

Kompanitë e mëdha industriale janë të detyruar të investojnë në masat e duhura për të mbrojtur mjedisin dhe cilësinë e ajrit. Përveç detyrimit ndaj qytetarëve shqiptarë, këto masa shkojnë paralel me ambiciet për integrimin europian dhe vizionin e Shqipërisë turistike”, u shpreh ministrja.

Bizneset që preken nga ashpërsimi i gjobave janë kryesisht ato që prodhojnë, importojnë ose tregtojnë lëndë djegëse në kundërshtim me kërkesat e ligjit. /vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *