Subscribe

Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të flasë në italisht kësaj radhe, për t’iu përgjigjur medias italiane rai 3, e cila disa ditë më parë publikoi një investigim që ngrinte pikëpyetje ndaj marrëveshjes Rama-Meloni për emigrantët.

Në emisionin “Report” kishte akuza edhe ndaj sekretarit të përgjithshëm të këshillit të ministrave në Shqipëri, Engjëll Agaçi, për të cilin thuhej se ai ka shërbyer si avokat i narkotrafikantëve shqiptarë gjatë kohës kur punonte në Itali.

Në reagimin e tij, kryeministri Rama thotë se autori i emisionit ka gënjyer duke thënë se Agaçi nuk i ka kthyer përgjigje, ndërkohë që faktet, sipas Ramës, janë se ai i ka dërguar përgjigje me shkrim.

“Gjyshja ime, e cila më mësoi italisht më thoshte shpesh se të gabosh është njerëzore, por të ngulmosh është djallëzore. Ajo që më kujton tani është ky gabim tjetër nga emisioni “Report” në RaiTre, gazetari i të cilit ngulmon në mënyrë të bujshme me të njëjtat gënjeshtra të përfshira tashmë në episodin e neveritshëm për Shqipërinë.  Kulmi vjen, gazetari thotë, sikur të kishte bërë një zbulim befasues, se Agaçi “konfirmoi se ka kontribuar, që kur u bë këshilltar ligjor i Ramës, për zbatimin e protokollit” për emigrantët mes Italisë dhe Shqipërisë, duke përdorur edhe pak logjikë bruto, pasi Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave nuk është këshilltari im ligjor, por ai ka mbajtur postin më të rëndësishëm institucional në Administratën Publike që nga viti 2013 ndërsa protokolli daton në vitin 2023”,  shkruan Rama.

Rama e lidh emisionin investigativ me sulmin e medias italiane ndaj kryeministres Meloni.

“Për momentin përpiqem të besoj se gjithsesi e gjithë kjo furi për të sulmuar Giorgia Melonin në kurriz të Shqipërisë nuk ishte një mëkat me keqbesim ndaj vendit tim dhe se edhe përfshirja e shpifjeve nga Shqipëria në Itali, (duke përfshirë në punët e Shërbimit Publik edhe shpifjet ndaj vëllait tim kundër të cilave ai tashmë kishte bërë ankesë dhe pret fjalën e drejtësisë) ndodhi vetëm si rezultat i një lehtësie të padurueshme të qenies që gjithnjë e më shpesh në kohët e sotme fatkeqësisht pushton fuqinë fisnike të informacionit dhe e shndërron botën e së drejtës për lirinë e informacionit në një botë të shtypjes së lirive dhe të drejtave të njeriut”,  u shpreh Rama.

Ndërkohë në një reagim për “La Repubblica’ sekretari i përgjithshem Engjëll Agaçi, deklaroi se krahasimi i bërë nga programi televiziv ishte shumë i dëmshëm për reputacionin e tij dhe se kishte udhëzuar avokatët të ngrenë padi për shpifje. /vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *