Ish-deputetja e PD, Albana Vokshi reagoi pas konfirmimit të disa punonjëseve në një fasoneri në Tiranë, që janë infektuar me COVID-19.

Vokshi tha në rrjetet sociale se shëndeti i grave dhe vajzave është në rrezik për shkak të sjelljes që ka kryeministri Edi Rama.

“Papërgjegjshmëria dhe arroganca e Kryeministrit të gjithëpushtetshëm e ka lënë këtë sektor, të dominuar nga puna e krahut e grave dhe vajzave, në mëshirë të fatit. Propaganda e të pamëshirshmit i ka bërë nënat dhe vajzat të rrezikojnë shëndetin, duke shkuar në fasoneri për të siguruar bukën e gojët për fëmijët dhe familjet e tyre. Kryeministri për tekat e tij të liga, nuk përfshin në pagën e luftës, gratë dhe vajzat e punësuara në bizneset fason, duke iu mohuar një të drejtë ekonomike të ligjshme të tyre në kohën e pandemisë, sepse për të jeta e një gruaje vlen për të vetëm si një numër në statistikat e tij të propagandës së mashtrimit.”

Sipas Albana Vokshit, janë pesë masa urgjente që duhet të marrë qeveria.

“Testimin e të gjithë punonjësve të fasonerive me qëllim evidentimin dhe izolimin e vatrave të përhapjes së virusit; Të ngrejë një grup pune për të parë nga afër situtën në të gjitha bizneset fasonë e t’i mbyllë për një afat të caktuar në kohë duke u konsultuar ngushtësisht me përfaqësuesit e këtij biznesi për të vendosur së bashku për protokollin e masave për këtë sektor; Qeveria të mbështesë me pagë minimale të gjithë punonjësit e biznesit fason, jo si lëmoshë, por si e drejtë ekonomike, kushtetuese; Qeveria të mbështesë me lehtësira fiskale e mbeshtetje financiare biznesin fason, një nga sektorët punëdhënës më të mëdhenj në Shqipëri; Qeveria të marrë masa urgjente shëndetësore, sociale, ekonomike për të mbrojtur shëndetin e dhjetëra mijëra grave e vajzave që punojnë në këtë sektor.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *