Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ka pritur këtë të premte Prokurorin Kombëtar të Drejtorisë Antimafia dhe Antiterrorizmit në Itali Federico Cafiero De Raho, me të cilin ka implementuar një sërë bashkëpunimesh institucionale me qëllim goditjen e krimit të organizuar dhe terrorizmit.

 

Në deklaratën e përbashkët për shtyp, Gjonaj theksoi se një nga projektet kryesore mes Ministrisë së Drejtësisë dhe antimafjes italiane, është regjimi i posaçëm“41 bis”, sistem ky i konsideruar si mjaft efikas në Itali.

 

“Tashmë një ndër prioritet kryesore të Qeverisë Shqiptare është lufta kundër krimit të organizuar me të gjitha instrumentet ligjorë dhe institucionale, duke përfshirë edhe ndalimin e kontakteve të subjekteve që vuajnë dënimin ose janë në proces hetimi. Pikërisht një nga sistemet të konsideruara me efikase në Itali, të cilën Shqipëria e ka huazuar në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, është regjimi i posaçëm 41 bis”

 

Sipas Gjonajt, regjimi i posaçëm 41-bis është një instrument i domosdoshëm për të neutralizuar rrezikshmërinë dhe lidhjet e të burgosurve me organizatat kriminale jashtë mureve të burgjeve.

 

“Bashkërisht me organet ligjzbatuese ne vend, jemi aktualisht në fazën përfundimtare të zbatimit të regjimit të posaçëm të sigurisë së lartë në burgje për dosjet e para. Në vlerësimin tonë, bazuar edhe në eksperiencën italiane, regjimi i posaçëm 41-bis është një instrument i domosdoshëm për të neutralizuar rrezikshmërinë dhe lidhjet e të burgosurve, të dënuar ose në paraburgim, me organizatat kriminale jashtë mureve të burgjeve. Krimi i organizuar ka treguar se është i aftë të veprojë përtej çdo barriere dhe regjimi izolues, me mjete të sofistikuara dhe kontakte të lehtësuara përmes produkteve të krimit”

 

Ndërsa prokurori i antimafias italiane, Federico Cafiero De Raho deklaroi se Shqipëria dhe Italianë kanë krijuar skuadra të përbashkëta për të luftuar organizatat kriminale.

 

“Kemi ngritur skuadra hetimore të përbashkëta për të luftuar së bashku organizata kriminale shqiptare që zhvillon aktivitetin qoftë në Itali qoftë në Shqipëri. Format e bashkëpunimit janë gjithmonë e më të përparaura. Në një prej hetimeve që është zhvilluar në Itali, vendimi për paraburgim kishte të bënte me shumë shqiptarë. Shumë prej këtyre subjekteve janë shqiptarë me vendbanim në Shqipëri. Këto vendim u zbatuan pa i përjashtuar këta persona edhe pse në Itali. Kjo tregon që policia gjyqësore shqiptare është në gjendje të bashkëpunojë në mënyrat më të mira pa bërë që të rrjedhë ndonjë informacioni.”

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *