Bizneset e kryeqytetit janë përfshirë në një tjetër amulli gjobash dhe kamatë-vonesash nga ana e Bashkisë Tiranë.
Gjatë pagesës së këstit të parë të detyrimeve lokale ata janë surprizuar kur kanë parë që janë penalizuar madje dhe me kamatë-vonesa, pasi ky institucionin ka bërë një rivlerësim të xhiros.
E gjithë situata ka krijuar kontestime nga ana e biznesit.
Erla Saraci, përfaqësuese e zyrës së taksave vendore, gjatë një interviste në “E-ZONE” sqaron se çfarë ka ndodhur.
“Rivlerësimi nuk është një risi, ai njihet dhe është i parashikuar në ligjin tatimor. Ndryshimet që ndodhin në aktivitetin e biznesit mund të jenë gjatë viti, gjatë një muaji apo edhe një dite. Ne e kemi të pamundur që këto ndryshime t’i konstatojmë në kohë reale. Ndaj biznesi duhet të rakordojë këto ndryshime me administratën rajonale, ku ushtron aktivitetin dhe t’i deklarojë edhe pranë zyrës dhe taksave vendore. Ne këtë rivlerësim të xhiros për bizneset e marrim nga administrata tatimore”, tha Saraçi në Vizion Plus.
Por e gjithë kjo situatë ka krijuar pakënaqësi nga ana e biznesit, i cili është kapur në befasi me penalitetet.
Madje rivlerësimi i xhiros ka prekur edhe vitin 2024 dhe 2023 për bizneset.
“Ne deri tani kemi rreth 2 mijë biznese që kanë ankimuar këtë rivlerësim. Është një shifër e ulët në raport me afro 100 mijë biznese aktive, që janë në kryeqytetet. Ne po punojmë me AKSH-in që të rakordojmë këto ndryshime në kohë reale dhe të shmangin penalitetet për bizneset”, tha Saraçi.
Ekspertë të fushës janë të mendimit se e gjithë kjo situatë rëndon në mënyrë të padrejtë mbi biznesin. Mosrakordimi në kohë i institucioneve publike, siç është administrata tatimore dhe bashkia është një “nonsens” që po prodhon penalitete të panevojshme.
/vizionplus.tv