Subscribe

Raporti i Odihr për zgjedhjet parlamentare është dokumenti që Gjermania ka si pikë referimi për 25 prillin. Gjatë një takimi që ministri gjerman për Europën Michael Roth zhvilloi me liderin e opozitës Lulzim Basha, bëri të qartë se kritikat ndaj procesit duhet të adresohen tek institucionet.

 

MICHAEL ROTH

MINISTER PER EUROPEN, GJERMANI

“Ne i besojmë vlerësimeve të Odihr, i cili është kompetent në këtë fushë dhe  i cili na ka mbështetur në vlerësimin e proceseve zgjedhore, nëse ato kanë qen֝ të ndershme e të hapura.”

 

Ministri Roth ka theksuar se pret që Partia Demokratike në shtator të jetë në parlament.

 

“Unë sigurisht uroj dhe shpresoj që pas debateve të së shkuarës të mund të gjendet një ton konstruktiv dhe një qasje me respekt në marrëdhëniet mes qeverisë dhe opozitës. Jam në politike prej 23 vitesh, kam qenë edhe në opozitë dhe në qeveri, dhe të dy këto elemente janë njësoj të rëndësishëm për një demokraci. Sigurisht që në një sistem demokratik ne nuk jemi armiq të njëri-tjetrit, por kundërshtarë dhe parlamenti është vendi i duhur për të çuar para debatet.”

 

Partia demokratike ka deklaruar se do të jetë në parlament, por kreu i PD Basha i meshoi idesë se 25 prilli ishte një masakër zgjedhore.

 

LULZIM BASHA

KRYETAR I PD

 

“Ajo që i kam kërkuar ministrit Roth njësoj si të gjithë miqve ndërkombëtarë është të flasin dhe të denoncojnë masakrën zgjedhore të 25 prillit para se të jetë  tepër vonë për demokracinë dhe për Shqipërinë për të mos lënë që e njëjta situatë të ndodhë që Shqipëria të vazhdojë të jetë e mbushur me kriminelë në parlament, me drogë dhe zhytur në indekset më të ulëta në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.”

 

Sipas Bashës 25 prilli ishte një mundësi e humbur edhe për të ecur para në procesin e integrimit.

 

 

“Ky është një proces i bazuar tek arritjet, tek meritat dhe për fat të keq në këto zhvillime siç e kemi parë edhe nga konkluzionet e Këshillit Europian apo nga Rezoluta e Bundestagut Shqipëria ka mbetur në vendnumëro për 8 vite për shkak të mosarritjeve të kushteve të vendosura  të cilat janë rënduar  edhe më shumë me zhvillimet e 25 prillit.”

 

Basha ka theksuar se për Partinë Demokratike, nuk ka mundësi më të mirë për të  ndryshuar vendin sesa procesi i integrimit europian.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *