Fatmir Guri zv.ministër i bujqësisë konfirmoi nga studio “E-ZONE” se brenda 6-mujorit të parë të këtij viti do të jetë gati drafti final për sigurimin në sektorin e bujqësisë. Ai tha se ky draft bazohet mbi modelin turk me të cilin po zhvillohen edhe negociata. Dëmet që sjellin fatkeqësitë natyrore nuk mund të jenë vetëm përgjegjësi e buxhetit të shtetit, por secili duhet të marrë riskun e tij në biznes.
“Ne e kemi një skemë, e cila përfshin krijimin e një komiteti midis aktorëve të ndryshëm, të cilët përcaktojnë karakteristikat kryesore të paketave të sigurimit dhe të primit të sigurimit. Në këtë skemë ka parashikime që në vitet e parë të ketë një përfshirje të shtetit në pagesën e primit për fermerët. Ne jemi ende në fazë diskutimi për këtë skemë, e cila është një model që ka funksionuar në vende të tjera”, tha Guri në Vizion Plus.
Mbetet ende e paqartë se çfarë parashikohet të përfshihet në këtë skemë sigurimi, pasi fatkeqësitë natyrore janë disa lloje, përmbytje, ngrica, zjarre etj. Por një skemë sigurimi nuk mund të zbatohet pa bërë më parë investimet e duhura nga qeveria, në mënyrë që dëmi që do të shkaktohet të karakterizohet vërtet dëm nga fatkeqësi natyrore dhe jo nga mungesa e investimeve.





