Importuesit kryesore të produkteve ushqimore nuk janë entuziaste se skema e garancisë shtetërore do të jetë eficente për ta, për të siguruar rezervat tremujore.
Skema e miratuar në aktin normativ parashikon që 60% të shumës garantohet nga qeveria, pjesa tjetër nga importuesit. Por këta të fundit thonë se ky instrument financiar, pavarësisht qëllimit të mirë, ka kosto të shtuar për bizneset.
“Nisma është për t’u përgëzuar. Por ndihmë reale do të ishte nëse ajo do të ishte me normë interesi zero. Mbi të gjitha nëse importojmë për më shumë se tre muaj dhe çmime ulet, çfarë ndodh me mallin në magazinë? Jo vetëm kaq por magazinimi i sasive të tilla të mëdha kërkon kushte specifike. Po në rast se malli skadon për shkak se konsumi është tkurrur, kush e paguan këtë kosto? Këto janë disa detaje që akti nuk i parashikon.”-thotë Theodhori Kristuli i unionit tregtar.
Sipas bizneseve, situata të tilla duhet të amortizohen me rezervat e shtetit, që kanë ambientet të mëdha magazinimi.
“Ne e ripërsërisim qëndrimin tonë se rezervat e shtetit do të ishin një element për të amortizuar këtë situatë. Të gjithë importuesit sot janë kreditorë në banka dhe një kredie e re edhe pse me garanci shtetërore për disa prej tyre duket e vështirë për t’u konkretizuar.”
Situata në tregje nuk paraqet shqetësim në garantimin e tregut, por problem mbetet çmimi i lartë. Por që nga koha e nisjes së luftës, importuesit shqiptarë kanë mbyllur së fundmi një kontratë për një sasi prej 5 mijë tonë grurë që pritet të niset nga Ukraina.
“Është një port mbi Odesën që ne e kemi mbyllur në Ukrainë dhe pritet vetëm të hapen rrugë për t’u transportuar. Mund të themi që kjo sasi është gati 100 dollarë për tonë më pak se tregjet tjera. Ndërkohë kemi importuar edhe grurë nga Rusia, por nëpërmjet Turqisë.” – vijon më tej Kristuli.
Për t’i paraprirë një ngërçi të mundshëm të tregjeve për periudhën në vijim, qeveria miratoi një garanci sovrane për importuesit e ushqimeve. Është i njëjti instrument që qeveria miratoi në pandemi, por pak biznese arritën të përfitonin për shkak të kushteve dhe kostove.