Kanë nisur punimet për fazën e dytë të hartimit të Enciklopedisë Shqiptare, një projekt kombëtar që do të përfshijë historinë, shkencën, kulturën, artin dhe çdo fushë tjetër të jetës shqiptare. Mbi 1200 autorë, studiues dhe redaktorë janë angazhuar në përgatitjen e saj.Akademiku Shaban Sinani, një prej autorëve të enciklopedisë, thotë se në këtë fazë po punohet për unifikimin e përmbajtjes dhe respektimin e standardeve të përbashkëta nga të gjithë autorët.
“Rregullimet e njësuara në përmbajtje të kuptohen mirë dhe të zbatohen mirë nga autorët. nuk ka fushë të dije njerëzore që kjo enciklopedi nuk do të përfaqësoj. janë 27 grupime të cilat sipas fushave që përfaqësojnë, fillimisht ato sociale e më pas shkencat natyrore duke mos lënë asnjë fushë të përjashtuar. madje kemi një përmirësim të strukturës, mjedisi dhe ngulimet historike dhe kulturore janë ngritur si redaksi për herë të parë. në asnjë përpjekje të mëparshme për enciklopedi nuk kanë qene të përfaqësuara”, tha Shaban Sinani, autor
Sfida më e madhe ka qenë bashkërendimi i punës dhe arritja e një qasjeje të përbashkët mes redaksive dhe studiuesve që veprojnë në hapësira të ndryshme shqiptare.
“Vështirësitë kanë qenë të shumta, është tejet e vështirë të arrish një bashkëmendim midis redaksish që gjenden në territore shtetërore me kufij në mes. pajtimi në koncept me grupime që janë të interesuara për tu përfshirë në një enciklopedi kombëtare kanë qenë të vështira. psh. Kosova ka qenë e përfshirë në një vëllim në enciklopedinë e Ish-Jugosllavisë por ndërkaq ka patur edhe një fjalor enciklopedik të saj, ndërsa Shqipëria nuk ka qenë e përfshirë në asnjë enciklopedi të dikujt tjetër, përveçse disa emrash të shquar si Ismail Kadare etj. ndaj nuk ishte e lehtë të vinim në këtë koncept për të bër një enciklopedi gjithëpërfshirëse”, shtoi Sinani.
Në hartimin e kësaj vepre janë marrë në shqyrtim jo vetëm territoret shqiptare, por edhe të gjitha komunitetet ku është krijuar dhe ruajtur trashëgimia shqiptare ndër shekuj.
“Kudo ku krijohet trashëgimi shqiptare, arbëreshë, arvanitët shqiptarët e Karakurtit, Egjiptit, kudo ku është krijuar një vlerë trashëgimore shqiptare”, tha Sinani.
Enciklopedia Shqiptare pritet të përfundojë brenda vitit 2027. Më pas ajo do t’i nënshtrohet një faze konsultimi publik, ku studiues, ekspertë dhe qytetarë do të kenë mundësi të japin sugjerime dhe vërejtje, përpara se vepra të marrë formën përfundimtare dhe të botohet.





