Donald Trump ka premtuar se çdo qytetar i rritur në Shtetet e Bashkuara do të marrë 5 mijë dollarë nëse republikanët arrijnë të mbajnë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit në zgjedhjet e mesmandatit.
Deklarata u bë gjatë një fjalimi maratonë në konventën e parë republikane për zgjedhjet e mesmandatit, të zhvilluar në Dallas. Për gati dy orë, presidenti sulmoi demokratët, të cilët i cilësoi si “radikalë”, ndërsa mbrojti edhe luftën e SHBA-së me Iranin, shkruan The Guardian.
“Nëse republikanët fitojnë, ju fitoni bashkë me ne dhe merrni 5 mijë dollarë”, deklaroi Trump para turmës.
Propozimi do të kushtonte më shumë se 1 trilion dollarë, duke ngritur menjëherë pikëpyetje të mëdha mbi mënyrën se si do të financohej dhe mbi aspektet etike të një premtimi të tillë.
Trump u bëri thirrje votuesve që ta konsiderojnë atë si pjesë të garës, pavarësisht se emri i tij nuk do të jetë në fletën e votimit në zgjedhjet e mesmandatit. “Bëni sikur jam në fletën e votimit”, u tha ai mbështetësve.
Presidenti pretendoi gjithashtu, se mandati i tij i dytë kishte qenë “dy vitet më të suksesshme në historinë e presidencës”, si nga ana financiare ashtu edhe në aspekte të tjera.
Megjithatë, pjesën më të madhe të fjalimit ai e përqendroi te paralajmërimet për atë që, sipas tij, do të ndodhte nëse demokratët do të fitonin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve ose Senatit gjatë dy viteve të fundit të mandatit të tij.
“Ka një re të vogël, të çmendur dhe të sëmurë mbi vendin tonë”, tha Trump, duke shtuar: “Ne do ta mposhtim komunizmin në Amerikë.”
Republikanët po shpresojnë që organizimi i kësaj konvente të pazakontë t’i japë energji partisë përpara zgjedhjeve të nëntorit. Megjithatë, Trump vazhdon të përballet me një nivel të ulët mbështetjeje në sondazhe, ndërsa disa kandidatë republikanë në zona konkurruese vendosën të mos merrnin pjesë në aktivitet.
Trump e bëri të qartë se beson se ai vetë do të jetë faktori përcaktues në zgjedhjet e nëntorit.
“Nëse humbasim, ju do të humbni kufirin, do të humbni uljet e taksave, do të humbni sigurinë dhe do të humbni pasurinë tuaj”, tha ai.
Paralajmërime për Iranin
Gjatë fjalimit, Trump foli edhe për luftën me Iranin. Ai paralajmëroi Teheranin “të mos bëjë të zgjuarin”, përndryshe, tha ai, SHBA-ja “do të duhet t’i godasë shumë fort”.
Presidenti foli gjithashtu për pasojat ekonomike të rritjes së çmimit të naftës. Ai rrëfeu se u kishte thënë këshilltarëve të tij ekonomikë se SHBA-ja duhej të niste konfliktin pasi, sipas tij, Irani ishte “dy, ndoshta tre javë larg” prodhimit të një arme bërthamore.





