Padova, Itali – Zbardhen detaje të reja nga hetimet për vrasjen e një 35-vjeçari shqiptar, trupi i të cilit u gjet brenda një automjeti Fiat Bravo të zhytur në lumin Tergola, në zonën e San Giorgio delle Pertiche, në Itali.
Viktima është identifikuar si Ferdinant Hoti, 35 vjeç, me banim në Mirano. Identifikimi është bërë nga karabinierët përmes gjurmëve të gishtërinjve.
Lexo edhe :
Related Posts
Ekzaminimet mjeko-ligjore kanë konfirmuar se shqiptari është vrarë me armë zjarri. Sipas mjekut ligjor Rafi El Mazloum, i cili kreu autopsinë, 35-vjeçari është qëlluar nga një distancë e afërt. Në momentin e ekzekutimit, viktima i kishte duart e lidhura.
Një tjetër element i rëndësishëm është se viktima kishte ndërruar jetë para se trupi të përfundonte në ujë. Në mushkëritë e tij nuk janë gjetur shenja uji, çka tregon se ai nuk është mbytur, por është hedhur në lumë pasi kishte vdekur.
Automjeti ishte pa targa
Hetuesit kanë zbuluar gjithashtu të dhëna të reja për automjetin. Fiat Bravo e zezë, e gjetur pa targa në basenin e Tergolës, është identifikuar përmes numrit të shasisë.
Automjeti rezulton në pronësi të një burri që banon në provincën e Venecias, i cili nuk kishte raportuar vjedhjen e makinës. Karabinierët po e marrin në pyetje për të sqaruar nëse mund të ketë lidhje me ngjarjen.
Trupi i 35-vjeçarit u gjet në bagazhin e automjetit, i futur në një thes të zi, ndërsa mbi të ishin vendosur goma automjetesh, të përdorura si peshë për ta mbajtur trupin të zhytur në ujë.
Hetuesit po përpiqen të rindërtojnë lëvizjet e viktimës dhe të përcaktojnë me kë është takuar gjatë mbrëmjes së 7 shtatorit.
Mënyra se si është organizuar fshehja e trupit ka përforcuar bindjen e hetuesve se bëhet fjalë për një vrasje të planifikuar. Automjeti dyshohet se është shtyrë me dorë drejt ujit me qëllim që trupi të zhdukej në ujë.
Karabinierët po analizojnë të gjitha kamerat e sigurisë në zonë, përfshirë edhe kamerat e një mobilierie pranë vendit ku u gjet automjeti.
Makina është vënë re në orët e para të mëngjesit nga disa artizanë që po kalonin në zone.
Edhe pjesa e lumit ku u gjet automjeti po i nënshtrohet kontrolleve të imtësishme. Autoritetet kanë hapur portat për të ulur nivelin e ujit dhe për të mundësuar ekzaminimin e zonës.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar autorët, motivin e vrasjes dhe nëse 35-vjeçari është vrarë në një vend tjetër përpara se trupi të transportohej dhe të hidhej në Tergola.






