Grabitjet e shtëpive ku kultivohet kanabisi në Angli janë bërë një problem i shpeshtë, veçanërisht për pronarët shqiptarë. Grabitësit, kryesisht të rinj me ngjyrë, shpesh përdorin informacione të blera deri në 5,000 paund për të gjetur vendndodhjen e këtyre pronave.
Një nga rastet më të rënda lidhet me Mario Canaj, 39 vjeç, nga Coventry, i cili u përpoq të grabiste një shtëpi bari të kontrolluar nga bashkatdhetarë të tij shqiptar, sipas gazetës Luton Today . Incidenti ndodhi më 3 mars 2021 në Hallwicks Road, kur policia u njoftua për të shtëna me armë dhe përleshje. Dhuna shpërtheu kur disa burra tentuan të hynin me forcë në pronën që përdorej si fermë kanabisi.
Më 1 dhjetor, Canaj u dënua nga Gjykata e Lutonit me 14 vite burg për komplot për prodhim kanabisi, posedim të armës së zjarrit dhe kanosje. Tre persona të tjerë, përfshirë Gezim Brahimaj, 38 vjeç nga Luton, ishin dënuar më parë në vitin 2023 për përfshirje në të njëjtin incident.
Rreshterja detektive Jo Goodson nga Njësia e Krimeve të Mëdha e Bedfordshire, Cambridgeshire dhe Hertfordshire theksoi se hetimi kërkoi pothuajse pesë vite punë intensive dhe bashkëpunim mes shumë ekipeve. “Dhuna e asaj nate ishte tronditëse. Këto dënime tregojnë se krimi i organizuar dhe përdorimi i armëve nuk do të tolerohen në Bedfordshire,” tha ajo.
/vizionplus.tv





