Nga shkarkimi si ministre e Jashtme, te mungesa gjatë seancës ku u votua imuniteti i Ballukut e deri tek zërat se ka pasur debate me kryeministrin Edi Rama gjatë mbledhjes së grupit parlamentar.
Pas shkarkimit si ministre e jashtme dhe pas mungesës së saj në seancën ku u votuar kundër heqjes së imunitetit të Belinda ballukut, Elisa Spiropali ka tërhequr vëmendjen brenda Partisë Socialiste. Pas zërave se ajo pati debate edhe me kryeministrin Rama në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar, Spiropali ka sqaruar pozicionin e saj, përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Heshtja ime nuk është mungesë përgjigjeje, është një kufi i vendosur mes asaj që duhet thënë dhe asaj që duhet kuptuar, sepse në një kohë kur gjithçka kërkon të shpjegohet, rrezikojmë të humbasim kuptimin e vetë përgjegjësisë”, tha Spiropali.
Duke e bërë të qartë se kjo nuk është një çështje personale, Spiropali vëren se mungesa e debatit sjell probleme që meritojnë vëmendje.
“Debati nuk zhduket, ai shtypet, dhe kur shtypet, nuk krijon qetësi, por grumbullim të padukshëm tensioni. Dhe pikërisht aty ku debati zëvendësohet nga dakordësia e heshtur, meritokracia fillon të përmendet si parim, por nuk funksionon më si praktikë, sepse ajo kërkon një drejtësi që nuk pranon kompromise me rehatinë e pushtetit”, shtoi Spiropali.
Spiropali nënvizon se për një politikan është e rëndësishme të fitojë jo vetëm rezultate në punë, por edhe respektin e njerëzve.
“Fitorja nuk merret, ajo provohet. Meritohet kur njerëzit nuk të ndjekin nga frika, por të besojnë nga bindja, dhe kur largohesh, mbetet respekti, jo vetëm rezultati”, tha ajo.
Në fund, ligjvënësja socialiste thotë se nuk ka folur për veten, sepse kjo nuk është histori që fillon e mbaron me një individ. Spiropali e mbyll postimin duke thënë se në një moment kur gjithçka kërkon zë, heshtja bëhet forma më e fortë e fjalës./vizionplus.tv





