Gjykata e Posaçme ka rrëzuar sot ankimimin e bërë nga Monika Kryemadhi për sekuestrime që SPAK ka bërë për llogari të disa hetimeve paralele që kjo prokurori po bën për të dhe për ish-presidentin Ilir Meta. Baza ligjore sipas listës ditore të publikuar në Gjykatën e Posaçme ka të bëjë me nenin 222/ 3 të Kodit të Procedurës Penale, e cila në thelb ka të bëjë me kundërshtimin e rezultateve të përftuara nga përgjimet, si dhe fshirjen e çdo materiali të marrë përmes kësaj rruge hetimore.

 

Lexo edhe :

Related Posts

Sipas Prokurorisë së Posaçme, asaj i janë sekuestruar disa sende të ndryshme, mirëpo Vizion Plus përmes burimesh jo zyrtare mëson se bëhet fjalë për disa celularë dhe dokumente shkresore që do t’i vijnë në ndihmë hetimit që po zhvillohet për ta.

 

Po aq, burime të tjera konfimojnë se sendet e vëna nën sekuestro janë marrë në shtëpinë e Monika Kryemadhit, banesë e cila është në emrin e një familjari të saj, raporton gazetarja e Vizion Plus, Blerina Cene.

 

Ndonëse, SPAK është treguar hermetik lidhur me dosjen hetimore për të cilën janë bërë sekuestrimet, sot në Gjykatën e Posaçme, akuza u përfaqësua nga prokurori Sotir Kllapi, i cili po heton dosjen e lobimeve të ish- LSI në Shtetet E Bashkuara të Amerikës. Për këtë dosje më herët është thirrur në Prokurorinë Speciale ish-nënkryetari i LSI, Petrit Vasili.

 

Ka qenë ish- deputeti demokrat Halit Valteri ai që ka kallëzuar në SPAK në qershor të këtij viti, çiftin Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi. Kallëzimi erdhi pas publikimit të një shkrimi në mediat austriake, ku u pretendua se kreu i shtetit ka paguar afro 700 mijë dollarë për lobim në Shtetet e Bashkuara të Amerikes.

 

Në muajin maj, gazeta austriake “Kronen Zeitung” publikoi një shkrim në të cilin thuhej se Meta kishte paguar 700 mijë dollarë për të lobuar përmes një kompanie nga Qipro për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të ish-presidentit amerikan Donald Trump. Ndër të tjera në këtë shkrim u ngritën edhe pikëpyetje për shpenzime të tjera të çiftit Meta-Kryemadhi, si dhe operacionet e ndryshme të estetikës të kryetares së LSI-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *