Një turist polak 20 vjeçar mbrëmjen e të enjtes teksa ka qenë duke eksploruar zonën e Thethit ka dëmtuar këmbën dhe nuk mundej dot që të ecte.

 

Ngjarja sipas policisë ka ndodhur rreth orës 19:00 në majën e Harapit.

 

Turisti polak me inicialet Ë. M., ka kërkuar ndihmë duke telefonuar policinë pasi nuk ecte dot për shkak të plagëve të marra në këmbë.

 

Por për shkak të orës së vonë dhe errësirës, policia e pati të pamundur dërgimin e helikopterit dhe në këto kushte punonjësi i policisë së zonës Theth ka njoftuar banorët, të cilët së bashku me efektivë të tjerë të uniformave blu janë vënë në kërkim të turistit.

 

Rreth orës 21.30, banorët e zonës së bashku me punonjësin e Policisë kanë bërë të mundur gjetjen e turistit polak, si dhe transportimin e tij deri në rrugën e makinës. Më pas 20-vjeçari është transportuar me autoambulancë në qendrën shëndetësore të Thethit dhe pas ndihmës së parë mjekësore rezultoi se nuk ka asnjë problem për jetën dhe as dëmtime serioze fizike.

 

Turisti polak Ë. M ka falënderuar banorët e zonës dhe policinë që i erdhën në ndihmë duke i shpëtuar jetën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *