Në ditën e dytë të punimeve të komitetit të stabilizim asocimit BE-Shqipëri, mazhoranca dhe opozita diskutuan për reformën në drejtësi e cila u miratua në korrikun e vitit 2016. Fatmir Xhafaj i cili udhëhoqi këtë reformë në emër të mazhorancës dhe Oerd Bylykbashi i cili ishte përfaqësuesi kryesor i PD, përcollën në Strasburg qëndrimet diametralisht të kundërta që ndajnë dy forcat kryesore politike për rezultatet e kësaj reforme.
“Ne, si maxhorancë, rikonfirmojmë se i qëndrojmë fort reformës kushtetuese të vitit 2016 dhe siç jemi shprehur publikisht shtyllat e asaj reforme i konsiderojmë të paprekshme”, tha Xhafaj.
“Reforma në drejtësi ka 10 vjet që vazhdon, pa përfundim në horizont. Sa më shumë zgjatet, aq më shumë sjell destabilitet, pasiguri ligjore për qytetarët dhe kolaps të sistemit”, tha Bylykbashi.
E ndërsa PS vlerësoi punën e SPAK dhe institucioneve të drejtësisë, opozita deklaroi se sistemi i drejtësisë është i kapur nga qeveria.
“Ne shpresojmë shumë që edhe opozita të ndaj të njëjtin vlerësim me ne lidhur vlerësimet pozitive për institucionet e reja të drejtësisë dhe sidomos për SPAK si dhe me gjetjet e Projekt Rezolutës në këto fusha dhe bashkërisht të ulemi të punojmë për të reflektuar në rekomandimet e BE dhe nën asistencën dhe monitorimin e tyre të adresojmë masat e rekomandimet përkatëse për konsolidimin e reformës në drejtësi në standardet më të mira europiane, respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut”, tha Xhafaj
“Kemi një sistem të dobët, selektiv dhe të politizuar. Drejtues të opozitës janë ndaluar në paraburgim pa akuza formale, për më shumë se një vit, qëllimi është të ketë “lajm” për hetime ndaj politikanëve, pa pasur prova konkrete në gjykatë. Shqipëria mund të duket mirë në letër, por realiteti është i dhimbshëm. Nëse pyet qytetarët të cilët përballen çdo ditë me sistemin e drejtësisë, mbi 90% do të thonë se reforma ka dështuar. Mund të vazhdojmë të themi se ishte sukses, por njerëzit do vazhdojnë të vuajnë diçka që ishte menduar për të qenë në shërbim të tyre”, tha Bylykbashi.
Kundër Reformës në Drejtësi foli edhe eurodeputeti Fredi Beleri i cili deklaroi se qeveria ka kapur sistemin e drejtësisë.
“Qeveria përmes prokurorisë ka ushtruar presion mbi kundërshtarët politikë”, tha Beleri.
Ndërkaq Fatmir Xhafaj i cili drejton Komisionin e Posaçëm që ka si mision realizimin e reformave që i nevojiten vendit në rrugën e anëtarësimit në BE, lajmëroi se parlamenti ka nisur punën për dy ligje; ligjin për Konfliktin e interesit dhe Financimin e partive politike./vizionplus.tv





