Në mbledhjen e zgjeruar të grupit parlamentar socialist me kabinetin qeveritar, Kryeministri Edi Rama i ka tërhequr vëmendjen deputetes Elisa Spiropali për qëndrimet e saj të fundit politike.
Burime nga mbledhja bënë të ditur se Rama i ka kujtuar Spiropalit mungesën në seancën ku parlamenti votoi për imunitetin e Belinda Ballukut, si dhe postimet e saj në rrjetet sociale, duke i thënë në fund: “herë të tretë nuk ka, del jashtë këtij grupi”.
Mësohet se Spiropali është përpjekur t’i përgjigjet Ramës, por pa rezultat, pasi kryeministri nuk ia ka dhënë fjalën, ndërsa më pas ka kërkuar që brenda partisë që ai drejton të mos krijohen drama.
Përtej këtij momenti, mbledhja e zgjeruar trajtoi disa çështje të rëndësishme.
Turi “Punët për Shqipërinë”, si dhe procesi i integrimit, ishin në qendër të vëmendjes. Për rreth dy orë, drejtuesit e qarqeve raportuan mbi problematikat e dhëna nga qytetarët në zonat e tyre përkatëse.
Mbledhja shqyrtoi edhe integrimin: kryenegociatorja Majlinda Dhuka, së bashku me Ministrin e Jashtëm Ferit Hoxha, dhanë detaje sa i përket ecurisë së negociatave të anëtarësimit në union. Porosia kryesore ishte miratimi i ligjeve që janë në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Europian.
Deputetët trajtuan edhe organizimin e aktiviteteve në kuadër të “Majit të Europës”, si dhe përgatitjet për 35-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste, duke theksuar rëndësinë e këtyre momenteve për jetën politike dhe institucionale të vendit.
Kryeministri Rama ishte i fundit që mbajti fjalën, e cila zgjati rreth një orë.
/vizionplus.tv





