Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi kryeministrin Edi Rama se po dëmton procesin e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian. Pas një takimi me Dr. Christian Forneck, këshilltar për politikën e jashtme pranë grupit parlamentar të CDU/CSU në Bundestagun gjerman, Berisha përsëriti bindjen se procesi i integrimit duhet të jetë një proces i bazuar në meritë.
“sepse vetëm një proces i bazuar në meritë është interesi absolut i qytetarëve shqiptarë. Është interesi absolut më i mirë i qytetarëve të BE. Një Shqipëri, epiqendër operacionale e organizatave kriminale të rajonit, të Europës dhe të botës, siç cilësohet në disa raporte të Departamentit të Shtetit, është një rrezik real për paqen, sigurinë në Shqipëri, rajon e më gjerë. Ndaj dhe kushtet, për mendimin tim, se jemi dakord me miqtë, duhet të jetë një proces i bazuar në meritë, çka ekzistojnë të gjitha mundësitë, por jo me Edi Ramën. Edi Rama është udhëheqës kryesor i klaneve të drogës në Shqipëri.”
Berisha iu kundërpërgjigj edhe kryeministrit Edi Rama dhe deklaratave të tij se opozita po dëmton imazhin e vendit.
“Akuzat absurde të Edi Ramës se ne po e denoncojmë këtu apo atje, dhe unë u them dhe atyre pak individëve që e mbështesin. Nacionalizmi mafioz, nacionalizmi i mafies është strofulla e mafiozëve dhe s’ka asgjë të përbashkët me interesat patriotike, atdhetare të qytetarëve. Sipas tyre, ne duhet ta fshehim, ne duhet të eksportojmë kartele droge. Duhet të vazhdojmë të kryesojmë, të jemi vendi i parë në eksportin e kanabisit. Të jemi vendi kryesor në transportin e kokainës nga Amerika Latine në Europë e të tjerë e të tjerë me radhë, dhe këto duhet t’i fshehim. Këto nuk duhet t’i themi.”
Berisha sqaroi gazetarët se me këshilltarin e grupit parlamentar të CDU/CSU bisedoi për problemin e standardeve zgjedhore në Shqipëri, si dhe e njohu me kërkesën e opozitës për krijimin e një qeverie teknike që të çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja.
/vizionplus.tv





