Subscribe

Ende në diskutime me Fondin Monetar Ndërkombëtar, Ministria e Financave ka projektuar një buxhet ambicioz për vitin e ardhshëm. Për 2017-ën, financat do të rritin totalin e buxhetit me 193 milion dollarë më shumë se atë të rishikuar të këtij viti, ose 162 milion po të krahasohet me buxhetin fillestar të 2016-tës. Deri tani financat kanë marrë dakordësinë e Fondit për disa zëra të tij, por ende nuk kanë përfunduar negociatat në mënyrë që të çojnë pranë Këshillit të Ministrave projektligjin për ta miratuar. Vizion Plus ka arritur të sigurojë draftin, i cili me shumë gjasa do të jetë edhe finali që do t’i propozohet qeverisë për miratim. Në total vlera e buxhetit të shtetit do të jetë 4.69 miliardë dollarë, më e madhja në historinë e buxheteve në Shqipëri. Për herë të parë financat heqin dorë këtë vit nga rritja e taksave, por synojnë të shtojnë në sajë të mirëadminsitrimit plot 220 milion dollarë. Në sajë të luftës kundër informalitetit, pretendohet që tatimet dhe doganat të mbledhin 100 milion dollarë më shumë. Fond i cili do të shërbejë për të rritur pagat dhe pensionet. Afro 30 milion dollarë do të shtohen nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, 43 nga ai i fitimit dhe po kaq edhe nga taksat nacionale. Akcizat vitin e ardhshëm do të sjellin 15 milion dollarë më shumë, ndërsa nga tatimi i të ardhurave personale do të vijnë me rritje dhe 37 milion dollarë të tjera. Në buxhetin e 2017-ës financat kanë përqafuar realitetin dhe kanë parashikuar me ulje të ardhurat që do të vijnë nga pushteti vendor. Viti elektoral do të sjellë një fond prej 60 milion dollarësh për politikat e reja të pagave dhe 29 milion për rritjen e pensioneve. Ambicioze është vlera edhe për rritjen e investimeve publike me 123 milion dollarë më shumë se 2016-ta. Por edhe pse paratë në buxhet do të shtohen dhe politikat e tij do të orientohen pro rritjes së investimeve për vepra publike, shtuar këtu dhe pagat e pensionet, qeveria është e vendosur për të ulur borxhin publik me 1.6 % si dhe nivelin e deficitit në buxhet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *