RCC lançon Platformën e Aktorëve të Ballkanit Perëndimor për Ekonominë e Gjelbër dhe Qarkulluese, si pjesë e Axhendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.

Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) lançoi Platformën e Aktorëve të Ballkanit Perëndimor për Ekonominë e Gjelbër dhe Qarkulluese, e përbërë nga përfaqësues të qeverisë, biznesit, donatorëve dhe OSHC-ve, në një takim të nivelit të lartë që po mbahet sot në Prishtinë.

“Ndonëse duke u bërë një pikë e nxehtë për ndryshimet klimatike, rajoni ynë shpesh mund të përdorë lente miopike në mënyrë instinktive. Kjo ende nuk kap me të vërtetë urgjencën dhe gjithëpërfshirjen e ndryshimit të klimës dhe as, për shembull, normat e ulëta alarmante të riciklimit dhe mbetjet e larta të krijuara në nivel lokal. Barometri ynë Ballkanik thotë se vetëm 30% e pronarëve të bizneseve e shohin ndryshimin e klimës si një problem për bizneset e tyre; ndërsa 43% besojnë se tranzicioni i gjelbër nuk do të ketë ndonjë ndikim në biznesin e tyre dhe 37% që nuk kanë kanë marrë asnjë hap për të reduktuar ndikimin mjedisor të bizneseve të tyre. Për fat të keq, më shumë se një e treta e bizneseve nuk ndërmarrin asnjë aktivitet/iniciativë të ekonomisë qarkulluese”, tha në hapje të takimit Sekretarja e Përgjithshme e RCC-së, Majlinda Bregu.

Arsyet për këtë, siç citohen nga bizneset e Ballkanit Perëndimor, janë: kosto shtesë (49%); mungesa e aftësive dhe ekspertizës (30%), mungesa e një kuadri rregullator (28%) dhe mungesa e subvencioneve nga qeveria (29%).

“Shumica e bizneseve e konsiderojnë më lirë prodhimin e një produkti të ri sesa një të ricikluari. Këto përqindje nuk do të na largojnë nga rruga e modeleve lineare të përdorimit të burimeve dhe duket se janë në kontrast të plotë me përqindjet inkurajuese që jam e sigurt se na kanë mbledhur të gjithëve këtu sot: strategjitë e ekonomisë qarkulluese mund të zvogëlojnë emetimet globale të gazeve serrë me 40%; të krijojnë 700,000 vende të reja pune vetëm në BE deri në vitin 2030, ose të hapin mundësi ekonomike me vlerë 4.5 trilion dollarë. Prandaj, ne kemi nevojë për më shumë qëndrime të orientuara drejt veprimeve konkrete dhe mundësive midis të gjithë aktorëve kryesorë në rajon”, përfundoi Bregu.

Krahas Sekretares së Përgjithshme të RCC, fjalën hyrëse e mbajti Valentina Superti, Drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor, në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit dhe Lulzim Rafuna, Kryetar i Bordit Drejtues të Forumit të Investimeve të 6 Dhomave të Ballkanit Perëndimor (WB6CIF). Paneli ministror i nivelit të lartë që mblodhi ministrat e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesit e ministrive përgjegjëse për çështjet e mjedisit dhe përfaqësuesi i Gjermanisë, si iniciatori dhe aktori kryesor i Procesit të Berlinit, diskutoi avancimin e zbatimit të Axhendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Më vonë gjatë ditës, tre panele të tjera do të trajtojnë temat e potencialit investues, tranzicionit të Ballkanit Perëndimor drejt ekonomisë qarkulluese dhe hapat e mëtejshëm.

Qëllimi i Platformës, e cila do të funksionojë në kuadër të Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor (GAWB), është të rinovojë angazhimet e nivelit të lartë të marra në kuadër të GAWB, të nxisë një qendër rajonale të të mësuarit dhe shkëmbimit të njohurive mbi Ekonominë Qarkulluese dhe të harmonizojë rrugët e financimit dhe investimeve të gjelbra.

Takimi, i organizuar nga RCC, me mbështetjen e WB6CIF dhe Projektit EU4GREEN, mblodhi përfaqësues nga Ballkani Perëndimor, rreth 20 donatorë dhe institucione financiare ndërkombëtare, 66 organizata ndërkombëtare, kompani dhe më shumë se 50 përfaqësues të Organizatave të Shoqërisë Civile.

Ekonomia qarkulluese është një model prodhimi dhe konsumi, i cili përfshin ndarjen, ripërdorimin, riparimin, rinovimin dhe riciklimin e materialeve dhe produkteve ekzistuese për aq kohë sa të jetë e mundur. Në këtë mënyrë zgjatet cikli i jetës së produkteve. Në praktikë, kjo nënkupton reduktimin e mbetjeve në minimum.

Gjatë Samitit të Ballkanit Perëndimor në Sofje, të mbajtur më 10 nëntor 2020, rajoni arriti një moment historik të rëndësishëm duke miratuar Deklaratën e Liderëve për Axhendën e Gjelbër që përputhet me Marrëveshjen e Gjelbër të BE-së. Qëllimi kryesor është të arrihet neutraliteti i karbonit deri në vitin 2050 dhe të përafrohet me elementët kryesorë të Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *