Xhenova i bëri një mbyllje të shkëlqyer kampionatit italian, duke fituar takimin e fundit në shtëpi 2 me 0 ndaj Bolonjes. Këta të fundit nuk mundën ta përshëndesin trajnerin e tyre Tiago Mota në duelin fundit të tij si trajner i kuqebluve përpara se të largohet.

Humbja rrezikon ta zbresë Bolonjën në vendin e pestë, ndonëse zona champions është matematikisht e arritur. Ajo që rrezikon tani shumë është Roma, pasi ngjita e Atalantës në klasifikim e cila ka ende dy ndeshje për të luajtur, djeg mundësitë e Italisë për të çuar gjashtë skuadra në Champions League. Sa i takon kronikës së ndeshjes, duhet thënë që të zotët e shtëpisë bënë një ndeshje të madhe.

Të dyja ekipet u futen në fushë me rotacion në organikë mirëpo ata që zhbllokuan shifrat në minutën e 13 ishin vendasit përmes një goditje të bukur tëMalinovskit. Bolonja u përpoq të reagonte, por gjuajtja e Fabian shkoi në shtyllë. Në minutën e 59 erdhi edhe dyfishimi i rezultatit. Një gabim i Beukema i dha mundësi vendasve të shënojnë me anë të Vitinja.

Ishte në fakt goli që vulosi përfundimisht fitoren e Xhenovës, e cila në vitin e parë pas rikthimit në Serie A, bëri një paraqitje të shkëlqyer me trajnerin Xhilardino në stol. Ndërsa Bolonja mbyll një sezon historik dhe tani duhet të mendojë për trajnerin e ri që do të zëvendësojë Tiago Moten, i destinuar për të marrë drejtimin e Juventusit. /vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *