Nafta është rritur, mallrat dhe shërbimet po ashtu, e në këto kushte bizneset kërkojnë ndihmë nga qeveria për të përballuar kostot e larta të prodhimit. Forumi Ekonomik Mbarëshqiptar dhe organizatat përfaqësuese të biznesit po ndjekin me shqetësim zhvillimet e fundit ekonomike.
“Ky efekt po sjell pasiguri për ekonominë në këto vende. Bizneset detyrohen të rishikojnë planet e tyre strategjike, ndërsa disa sektorë e kanë gjithnjë e më të vështirë mbijetesën. Është një sfidë që kërkon përgjigje dhe përgjegjësi të veçanta. Rritja e çmimeve të karburanteve po bën që bizneset të çakordohen”, tha Besim Beqaj, kryetar i Forumit Ekonomik Mbarëshqiptar
Kërkesa është e thjeshtë: ose të rishikohet skema e taksimit për produktet e ndryshme gjatë kësaj periudhe, ose të subvencionohen sektorët që po preken më shumë, ashtu siç po veprojnë edhe vendet e tjera të botës.
“Ne kërkojmë masa konkrete për të përballuar këtë situatë. Kërkojmë rishikim të përkohshëm të barrës fiskale. Ne besojmë që mallrat dhe shërbimet po mbajnë në kurriz një barrë të lartë taksash. Kërkojmë mbështetje për sektorët që po preken më shumë, si transporti, bujqësia, industria përpunuese, shërbimet dhe turizmi, që janë më të ndikuarit”, shtoi Beqaj.
Forumi bën thirrje që qeveria të reagojë sa më shpejt. Në të kundërt, rrezikohet që rritja e çmimeve të përshkallëzohet, vendet e punës të rrezikohen dhe investimet të frenohen.





