Bashkimi po dominon ligën unike në basketboll për femra në këtë edicion. Ekipi nga Prizreni fitoi thellë duelin e radhës në fazën e grupit kundër Tiranës në kryeqytetin shqiptar me rezultatin 82 me 54.
Një sukses që e bën Bashkimin të betonojë vendin e parë në klasifikim me 17 pikë në fund të fazës së rregullt, përpara Partizanit, Flamurtarit, Tiranës dhe Pejës, të cilat kanë edhe një ndeshje për të luajtur.
Në Fahrire Hoti nuk pati thuajse farë ndeshje mes vajzave bardheblu dhe atyre nga Kosova.
Që në periodën e parë Bashkimi u shkëput duke e mbyllur +9, gjë e cila ishte e tillë edhe në periodën e dytë kur sërish diferenca ishte +9.
Në total në pushim të duelit, rezultati ishte 39 me 21. E vetmja periodë kur Tirana iu përgjigj ritmit të vajzave mike ishte e treta, kur rezultati u mbyll në barazim 21 me 21, por Bashkimi u kthye të dominojë fazën finale të sfidës duke fituar 22 me 12 periodën e katërt dhe të gjithë duelin me diferencë 28 pikë avantazh.
Tek Bashkimi i Prizrenit spikati veçanërisht paraqitja super e Briana Byrd me 32 pikë dhe 9 asist, ndërsa tek Tirana paraqitjen më të mirë e pati Emani Clough me 16 pike dhe 9 topa të kapur në tabelë.
Bashkimi i mbylli duelet e veta të grupit dhe tani përqendrohet tek Final Four që do të zhvillohet në Shqipëri.
Duhet të përcaktohen tanimë edhe tre ekipet e tjera që do të shkojnë në Final Four, një garë e fortë në fund mes tre ekipeve shqiptare, Partizani, Tirana e Flamurtari, si dhe Pejës së Kosovës.. duelet përcaktuese do të jenë Flamurtari-Peja dhe Tirana-Partizani.




