Subscribe

4 muaj para zgjedhjeve, kryetari i PD Lulzim Basha ka nisur procesin e caktimit të 12 drejtuesve të qarqeve. Sot PD prezanton Helidon Bushatin si politikanin që do të kryesojë listën e deputetëve në bastionin demokrat, në Shkodër.

Bushati e merr për herë të parë këtë detyrë, në kushtet kur lista e deputetëve që në 2017 fituan në Shkodër praktikisht është rrëzuar nga komisioni Ruli, i cili ka vendosur t’u ndalohet kandidimi 3 ish-deputetëve, përfshi kryesuesin e listës, Romeo Gurakuqi.

Shkodra pritet të jetë një nga qarqet më interesante në 25 prill, jo thjesht për shkak të betejës mes demokratëve e socialistëve, apo rolit të Tom Doshit në këtë qark; por edhe sepse parti të reja mund të garojnë këtu; si “Lëvizja për ndryshim” me Jozefina Topallin.

Nesër PD pritet të prezantojë Enkelejd Alibeajn si drejtues politik të qarkut Fier. Alibeaj i cili ka drejtuar edhe në 2017 këtë qark, do të ketë në krah Monika Kryemadhin e cila do kandidojë në Fier dhe përballë Gramoz Ruçin, drejtuesin socialist të qarkut.

Ndërkaq në Vlorë disa javë më parë Basha ka vendosur Bujar Leskajn si drejtues politik të zones, i cili në 2005 fitoi një mandat për PD.

Përveç këtyre emrave të konfirmuar ende, është e paqartë se cili do të kryesojë betejën në qarqet që bëjnë diferencën në rezultatin e zgjedhjeve si Durrësi, Elbasani apo edhe Tirana.

Ajo që dihet deri më tani është se qarku i Tiranës do të ketë disa drejtues qarku për shkak të madhësisë që ka kjo zonë, e cila nxjerr dhe numrin më të madh të deputetëve, 36.

Caktimi i drejtuesve të qarqeve çel zyrtarisht fushatën e Partisë Demokratike në çdo qark, pasi tashmë secili prej tyre do të shkojë të punojë me qytetarët në zonën e tij, veçanërisht duke pasur parasysh se Partia Socialiste e ka caktuar ekipin e saj prej 12 drejtuesish që në muajin shtator.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *