Nevojat për gjak në vendin tonë po rriten vazhdimisht, si pasojë e shtimit të ndërhyrjeve kirurgjikale, trajtimit të pacientëve onkologjikë që kanë nevojë të vazhdueshme për transfuzione, si dhe pacientëve talasemikë.
“Nevojat për gjak janë vazhdimisht në rritje, kjo për shkak të rritjes së ndërhyrjeve kirurgjikale falë trajtimit të pacientëve onkologj dhe pacientët talasemik”, tha Riana Gjeta, mjeke transfuziologe.
Megjithëse vitet e fundit është vërejtur një rritje e dhurimeve vullnetare të gjakut, ende ekziston një hendek midis numrit të dhuruesve dhe nevojave reale.
“Vazhdon të mbetet një hendek mes rritjes së nevojave për transfuzion të komponentëve të gjakut dhe një rritje jo në të njëjtat nivele të dhurimeve vullnetare të gjakut”, shtoi Gjeta.
Sipas mjekes transfuziologe Riana Gjeta, dhurimi i gjakut shoqërohet gjithashtu me disa përfitime për shëndetin, ndërsa thekson edhe kriteret që duhet të plotësojë çdo individ që dëshiron të dhurojë gjak.
“Mjafton që personi të jetë i shëndetshëm, një peshë të paktën 50 kg të plotësojë kriterin e moshës nga 18 deri 60 vjec, të mos vuajnë nga sëmundje infektive. Ka benefitet e veta edhe për ata që dhurojnë gjak, cdo dhurim i nënshtrohet një sërë analizash për të siguruar që gjaku është i sigurt për pacientët por në të njëjtën kohë dhuruesit bëjnë një check up të gjendjes së tyre shëndetësore”, tha mjekja.
Për vitin 2025, dhurimet e gjakut në nivel kombëtar shënuan një rritje prej 6.7% krahasuar me një vit më parë. Megjithatë, mjekët bëjnë apel për më shumë ndërgjegjësim nga ana e qytetarëve, pasi nevojat mbeten ende shumë të larta.





