Rritja e çmimit të naftës ka sjellë prej disa ditësh reduktimin e thuajse të gjitha shërbimeve interurbane në Berat.
Në të vetmin Terminal të qytetit, autobuzët e linjave të Tiranës, Durrësit,Vlorës, Kuçovës etj rrinë në radhë për pasagjerë por shumica e tyre nuk nisen në destinacion pasi janë bosh.
Kjo situatë e rënduar i ka detyruar shoferët të reduktojnë numrin e mjeteve.
Kështu,numri u autobuzëve të linjës Berat-Tiranë është ulur me 30% ndërsa ai i linjës Berat-Kuçovë me 40%. Të njëjtin fat kanë pasur edhe automjetet që transportojnë udhëtarë drejt fshatrave.
“Nafta është shumë shtrenjtë dhe nuk po e përballojmë dot jemi drejt falimentit, i bëjmë thirrje shtetit të na ndihmojë, se i bie t’i mbyllim fare”.
Sipas tyre, ata po penalizohen edhe nga linjat e Skraparit dhe Poliçanit që shkojnë në Tiranë e Durrës, pasi ato nuk duhet të ndalojnë në asnjë pikë në qytet por duhet të kalojnë vetëm tranzit.
“Edhe këto me targa të verdha janë shumë problem, ligji nuk është kështu. Ato nuk duhet të ndalojnë fare ne stacionet tona por e bëjnë dhe ne rrimë bosh të gjithë”.
Shoqëritë e transportit të udhëtarëve të çdo linje interurbane i kërkojnë autoriteteve të marrin masa për rimbursimin e naftës për ta dhe njëkohësisht i kërkojnë bashkisë të ndëshkojë sipas ligjit linjat që operaojnë në mënyrë jo të rregullt.





