1. Zoti Ambasador, Komisioni Europian ka rekomanduar pa kushte çeljen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë. Cili është pozicioni i qeverise austriake lidhur me këtë hap të rëndësishëm të procesit të integrimit europian të Shqipërisë?

 

Së pari ju falenderoj për ftesën që më keni bërë. Për t’iu përgjigjur pyetjes tuaj, tërësisht konkretisht mund të them se Austria është qartësisht në favor të hapjes së negociatave për anëtarësim. Ky është qëndrimi, i cili është shprehur qartësisht nga Kancelari i Austrisë Sebastian Kurz, në intervistat që ka dhënë disa ditë më parë. Ai gjithashtu e ka përsëritur këtë mesazh gjatë takimit me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama në vizitën e tij zyrtare në Vijenë. Ky vlerësim vjen nga mendimi i krijuar se duke i dhënë rajonit një perspektivë të qartë është e nevojshme për të inkurajuar reformat e ndërmarra, të ecet përpara me gjithçka është nisur. Po ashtu, një nxitje e tillë do të rriste stabilitetin në vendet e rajonit, sepse rritja e stabilitetit në këtë rajon përkthehet gjithashtu në stabilitet për vendet tona. Por, a do të thotë kjo se ne jemi të kënaqur me gjithçka me çfarë po ndodh në Shqipëri? Jo! Ka momente ku situatat rrëshqasin, ka hije, por ka gjëra shumë pozitive mbi të cilat ne mendojmë se mund të bëhet më shumë. Por a mjafton kjo situatë për të nisur negociatat për anëtarësim? Absolutisht Po dhe mendoj se tani është koha për ta bërë një hap të tillë.

 

 

  1. Si konsideroni skepticizmin e shprehur nga disa politikanë europianë, lidhur me çeljen e negociatave për anëtarësim?

 

 

Nëse ju përmendni fjalën “skepticizëm”, ka një shprehje shumë të bukur nga Oscar Wilde që më vjen ndërmend, i cili ka thënë se “skepticizmi është pikënisja e besimit”.  Nëse doni, mund të themi se nëqoftëse dikush është skeptik, kjo do të thotë se ai po shkon thellë mbi një çështje, ai po mendon për vendimet pro dhe kundër. Dhe kjo mendoj se po ndodh brenda 28 vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Mendoj se në fund të procesin, forcat që mbështesin negociatat, do të dalin fitimtarë. Kjo për arsyen sepse kanë një argument të fortë ku mbështeten. Këtu nuk flasim për faktin se Shqipëria do t’i bashkohet Bashkimit Europian vitin e ardhshëm. Ne e dimë, jemi koshient se ky është vetëm nisja e një rruge të gjatë dhe të vështirë, për të cilën Shqipëria mund të them se ka bërë mjaftueshëm për ta nisur. Gjithashtu, mendoj se do të ishte kundër interesit tonë nëse do të humbisnim këtë shans tani për të thënë “Po” e për ta hapur negociatat për anëtarësim të Shqipërisë dhe Maqedonisë.

 

 

  1. Një ndër rekomandimet e Brukselit zyrtar është bashkëpunimi mes mazhorancës dhe opozitës në Shqipëri. Por klima politike në Shqipëri aktualisht është tejet e tensionuar. Mazhoranca dhe opozita janë përfshirë në akuza të ndërsjella. Madje të shtunën e kaluar opozita doli në protestë kundër qeverisë. Si e shikoni situatën politike në vend dhe mendoni se kjo klimë e acaruar mund të ndikojë negativisht në vendimmarrjen e vendeve anëtare të BE-së për nisjen e bisedimeve për anëtarësim?

 

Më lejoni të kthehem në kohë. Unë kam qenë një diplomat i ri kur më caktuan për herë të parë këtu në Shqipëri. Ishte fundi i vitit 1997, kur vendi po dilte nga një konflikt vërtetë i vështirë, kur rreth 2 mijë vetë ishin vrarë. Ishte varfëri ekstreme. Duke parë 20 vite më vonë, atë çfarë shohim sot, me të gjitha problemet që ekzistojnë, por mund të themi se është një mrekulli në përmasa të vogla apo të mesme, ajo që ka ndodhur këtu në Shqipëri. Në një pikë mund të them se nuk është bërë mjaftueshëm progres sa i takon klimës politike, për atë të cilës ju i referoheni. Ju keni nevojë për një minimum bazik të bashkëpunimit, të paktën në fusha me interes të rëndësishëm, në fusha mbi çështje të mëdha, mbi çështje që prekin politikën e jashtme, në çështje të sigurisë kombëtare. Kjo nuk ka të bëjë me opozitën aktuale. E njëjta situatë ka ndodhur edhe më parë, duke e parë vendin tuaj për një disa kohë. Njësoj ka qenë kur partia që qeveris sot vendin ishte në opozitë. Në qoftë se për çdo propozim që vjen nga qeveria në Parlament, nisma të ndryshme apo projekte dhe vendime të tjera, do të kishte një reagim negativ, në qoftë se nuk i jep të drejtën e dyshimit, ju minoni kulturën demokratike të vendit. Mendoj se është një çështje e vërtetë në Shqipëri, diçka mbi të cilën Shqipëria duhet të bëjë më tepër, nga ç’është bërë deri më tani. Mendoj se ka mundësi për t’ia arritur kësaj. Kur ju përmendët protestën e opozitës, nuk mendoj se është një çështje e veçantë  apo një problem i madh, i parë nga Berlini, Vijena apo në vende të tjera. Kjo për arsye se protesta u zhvillua brenda parametrave demokratike. Ishte një protestë që u mbajte në një kohëzgjatje të caktuar. Pra nuk mund të them se ishte një çështje problematike. Por në përgjithësi, ju keni absolutisht të drejtë, Shqipëri duhet ta adresojë dhe duhet të punojë mbi problemin e polarizimit politik.

 

 

  1. Reforma në sistemin e drejtësisë dhe zbatimi i saj përmes procesit të Vetting-ut ka qenë një ndër kushtet kryesore që iu vendosën Shqipërisë nga Komisioni Europian në vitin 2016. Tashmë që reforma ka kaluar në Parlamentin shqiptar dhe Vetting-u ka nisur të japë rezultatet e tij, si e konsideroni këtë proces?

 

Gjatë qëndrimit këtu në Shqipëri kam dëgjuar këtë shprehje që lidhet me drejtësinë: “Ka ligj dhe ka Maliq”. Një shprehje që në thelb do të thotë se ligji ekziston, por gjithmonë në një kohë shumë të gjatë kanë qenë njerëz mbi ligjin. Unë mendoj se kjo gjendje duhet të adresohet dhe të marrë një përgjigje. Faktikisht kjo situatë ka nisur të marrë përgjigje përmes reformës në drejtësi. Çdo shqiptar meriton të ketë një gjykim të drejtë në Gjykata. Nëse do të hidhni një vështrim mbi sondazhet, 90% të shqiptarëve janë tërësisht në favor të kësaj reforme në sistemin e drejtësisë. Mund të ketë sjellje të ndryshme për aspekte të ndryshme apo detaje të caktuara, por në përgjithësi ajo çfarë ju keni nisur këtu në Shqipëri është një bazë solide, në mënyrë që në fund të ditës çdo shqiptarë të ketë një gjykim të drejtë në Gjykatë. Sigurisht që kjo do të kërkojë kohë. Ne nuk jemi naivë të besojmë se kjo situatë do të ndryshojë brenda natës. Ka rezistencë. Por unë e kam gjetur shumë të rëndësishme se kjo refromë është e mbështetur fuqishëm nga e gjithë shoqëria shqiptare. Në qoftë se keni 90% të mbështetjes popullore, kjo duhet të shprehet qartë. Unë do të dëshiroja që shoqëria civile, Shoqatat Jo-Qeveritare, vetë studentët, që të mos jenë të kapur nga interesat partiakë, por që në të vërtetë të jenë aleatë në këtë betejë dhe të mbështesin që kjo reformë të ecë përpara.

 

 

  1. Një tjetër moment i rëndësishëm në udhën integruese është edhe lufta kundër krimit të organizuar dhe kultivimit e trafikut të lëndëve narkotike, si dhe lufta kundër korrupsionit. Cili është mendimi juaj mbi gjithçka ka bërë qeveria shqiptare dhe institucionet ligjzbatuese shqiptare? Çfarë duhet bërë më tepër për të fituar këtë luftë?

 

Një pyetje e mirë. Më lejoni të nis përgjigjen time më gjërat pozitive që janë kryer. Ajo çfarë është bërë në këto dy vitet e fundit në luftën kundër kultivimit të drogës, ka qenë pozitive. Ne kemi parë prova shumë të qarta nga misionet fluturuese,  që zhvillohen gjatë muajve të çdo vere, gjithashtu që kryhen edhe tani. Rezultatet e vitit të kaluar dhe të këtij viti, ato çfarë kemi parë deri më tani janë shumë pozitive. Ka shumë, shumë, shumë më pak kultivim të drogave. Por kur flitet për trafikimit, ka ende shumë për të bërë. Siç mund të shohim nga kapjen e sasive të mëdha. Kur vjen fjala për luftën kundër krimit të organizuar dhe luftës kundër korrupsionit, mund të them se shumë më tepër mund të bëhet. Ajo çfarë kemi parë gjatë muajit të kaluar ka pasur rritje, ka pasur më tepër aktivitet dhe mendoj se kjo është një gjë pozitive. Kur shohim përpjekjet kundër korrupsionit, ka rritje të numrit të të akuzuarve dhe padive. Por shumica e tyre kanë qenë për zyrtarë të nivelit të ulët, ose në maksimum të nivelit të mesëm. Kjo situatë duhet të pësojë rritje. Shqipëria mund të bëjë shumë më tepër në frontin e luftës kundër korrupsionit. Prandaj ne presim që Shqipëria të bëjë më tepër dhe të vazhdojë rrugën të cilën ne e kemi parë gjatë muajit të fundit.

 

 

  1. A jeni dakord me tezën se lënia jashtë BE-së apo shtyrja e procesit të integrimit të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit, mund të krijojë një terren të begatë për forca apo fuqi të tjera jashtë BE-së? I referohem këtu interesave të Rusisë në rajon.

 

Ekziston një ligj në natyrë, por i cili besoj se aplikohet edhe në jetën politike. Ka të bëjë me faktin se nuk ka një vakum për një kohë të gjatë. Kështu, nëse ka vakum një jetën politike, kjo situatë nuk zgjat për një kohë shumë të gjatë, ku forca të tjera mund të ndërhyjnë. Pra, për t’iu përgjigjur pyetjes tuaj, mendoj se ne duhet të bëjmë të mundur që të kemi një pozicion shumë të fortë në kë rajon, i cili është gjithashtu interesant për forca të treta, sikundër ju i përcaktuat. Dhe nuk flitet vetëm për Rusinë. Janë edhe vendet arabe, është Kina, është Turqia. Ne duhet të jemi të forte në këtë aspekt. Por në të njëjtën kohë ju duhet të keni besim të vetvete. Unë besoj se BE, institucionet e saj, duhet të bëjë përpjekjet maksimale për këtë rajon të Ballkanit. Ne jemi, nëse doni ta cilësojnë në këtë mënyrë, partnerët natyrorë për vendet e këtij rajoni. Kombinimi i një tregut ekonomik që funksionon me shtylla të fuqishme sociale, i cili është vërtetë shumë i rëndësishëm, i kombinuar me demokracinë liberale, për mendimin tim është gjendja më e mirë që i është ofruar këtij rajoni. Kjo nuk mund të krahasohet me aktorët e tretë, siç i vlerësoni ju. Kështu që nuk duhet të shqetësohemi shumë. Ne duhet të jemi të fuqishëm, por gjithashtu në të njëjtën kohë duhet të kemi vetëbesim kur bëhet fjalë për këtë çështje.

 

 

  1. Në opinionin tuaj, çfarë duhet të bëjë më tepër qeveria shqiptare për të bindur vendet anëtare të BE-së, në mënyrë që në qershor të ketë një vendim pozitiv në Këshillin Europian për nisjen e bisedimeve?

 

Çfarë duhet të bëjë më tepër qeveria shqiptare për të fituar nisjen e negociatave për anëtarësim? Nuk e di se sa familjarë jeni me muzikën “Pop”. Por unë e ndjek atë. Është një këngë shumë e bukur e Lenny Kravitz, një këngë e fillim viteve ’90. Titulli i këngës është “Nuk ka marrë fund, derisa të marrë fund” (“It ain’t over, till it’s over”). Tek domethënia e kësaj shprehje, nis edhe sugjerimi im për qeverinë e Shqipërisë. Ju duhet të bëni gjithçka deri në minutën e fundit, duhet të punoni fort deri në momentin e fundit. Siç kemi mësuar nga samitet e mëdha, vendimet e mëdha merren në minutën e fundit. Kështu përdorni këto muaj të fundit, për të ngritur çështjen tuaj. Bindni vendet anëtare të Bashkimit Europian, paraqisni argumentet tuaj dhe prodhoni rezultate nga reforma n drejtësi. Mendoj se këto janë gjërat që duhet të bëhen. Duhet të luftoni deri në minutë të fundit. Austria dhe vendet e tjera të cilat vërtetë dëshirojnë të shohin që këto vende të ecin përpara, do t’ju bashkohen në lutjet tuaja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *