Marsin e vitit të kaluar, një delegacion palestinez shkoi në Moskë për bisedime me zyrtarët rusë. Delegacioni ishte nga Hamasi, grupi militant palestinez që cilësohet organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Në këtë takim, sipas Ministrisë së Jashtme ruse, u përsërit “qëndrimi i pandryshuar i Rusisë në mbështetjen e një zgjidhjeje të drejtë për problemin palestinez”.

 

 

“Kur shqyrtohet çështja e rivendosjes së unitetit kombëtar palestinez, pala ruse shpreh gatishmërinë e saj për të vazhduar me mbështetjen që të tejkalohen dallimet dhe bashkimin e forcave që udhëheqin politikën palestineze dhe lëvizjeve në platformën e Organizatës për Çlirimin e Palestinës”, u tha në deklaratën që atëbotë lëshoi Ministria e Jashtme e Rusisë.

 

 

Lidhjet e Rusisë me Hamasin janë të dokumentuara mirë, sikurse janë edhe lidhjet e saj me mbështetësin kryesor të Hamasit, Iranin. Për disa vëzhgues, dhuna e vazhdueshme në Izrael, vetvetiu është shkak për të fajësuar Moskën, duke e akuzuar atë se ka gisht në dhunën.

 

 

Kjo nuk është e saktë, tha Hanna Notte, analiste me bazë në Berlin, që punon për Qendrën James Martin. Notte njëherësh është eksperte për politikën ruse në Lindjen e Mesme.

 

 

Mbështetja e Rusisë për Iranin i ka sjell përfitime Moskës në luftën e saj ndaj Ukrainës, pasi Teherani po e furnizon me dronë kamikazë dhe pajisje të tjera për t’i ndihmuar forcat ruse që të zmbrapsin kundërofensivën e ngadalshme ukrainase. Por, kjo nuk është e mjaftueshme për të thënë që Moska do ta mbështesë sulmin e përgjakshëm të Hamasit pasi do të rrezikonte ndërprerjen e menjëhershme të raporteve me Izraelin, lidhjet e të cilit me Moskën nuk janë aq të forta, por nuk janë armiqësore, tha Notte.

 

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë dhënë më 9 tetor, Notte shpjegoi më shumë për nuancat e rolit të Rusisë në Lindjen e Mesme.

 

 

Radio Evropa e Lirë: Ju jeni skeptike lidhur me spekulimet se mund të ketë rol rus në këtë sulm? A ka ndonjë tregues tjetër se ata mund të kenë ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë apo të tërthortë në këtë ngjarje?

 

 

Hanna Notte: Pra, duke parë këtë, ka pasur raportime selektive në vitet e fundit, dhe ato datojnë para luftës në Ukrainë, se sistemet e prodhuara nga Rusia janë parë në duart e Hamasit. Raketa kundërtankeve, granatahedhës, raketa kundërajrore. Këto pretendime datojnë me vite dhe Izraeli atëbotë mendoi se këto armë ranë në duart e Hamasit përmes Iranit. Pra, kurrë nuk kam parë një tregues të drejtpërdrejtë për dërgesa të mëdha armësh nga Rusia te Hamasi, e lëre më që Hamasi është trajnuar nga ushtria ruse. Por, sërish, në kontekstin e këtij sulmi të fundit, ende nuk kam parë dëshmi se këto janë armë ruse apo nëse rusët kanë trajnuar Hamasin. Prandaj, këtu nuk shoh një rol të drejtpërdrejtë.

Sigurisht lidhjet Rusi-Hamas janë të kamotshme. Ata u ftuan në Moskë, më duket më 2006, pasi ata fituan zgjedhjet në territoret palestineze dhe që atëherë në Rusi kanë shkuar delegacione të Hamasit. E dini, rusët kanë qenë mjaft aktivë në vitet e fundit, duke tentuar që të ndërmjetësojnë midis fraksioneve të ndryshme palestineze. Sigurisht, ata kurrë nuk e kanë njohur Hamasin si një organizatë terroriste. Ata gjithmonë kanë argumentuar se fraksionet e ndryshme duhet të arrijnë një unitet. Dhe është një vend që rusët kanë krijuar për veten në procesin e paqes sepse ata viteve të fundit janë ankuar mjaft shpesh se amerikanët kanë monopolizuar procesin e paqes, veçmas gjatë administratës [së presidentit të atëhershëm, Donald] Trump dhe “Marrëveshjes së shekullit” [një propozim kundërthënës i paqes gjatë qeverisjes së Trumpit].

 

 

Prandaj, ata kanë tentuar ta krijojnë këtë hapësirë, duke u krenuar se zhvillojnë bisedime me të gjitha fraksionet palestineze. Fraksionet shkojnë shpesh në Moskë… Prandaj, rusët kanë qenë aktivë në palën palestineze dhe kjo gjë është e kamotshme. Bashkimi Sovjetik ka pasur një qëndrim mjaft pro-palestinez. [Ministria e Jashtme] e Rusisë historikisht ka mbajtur një qëndrim mjaft pro-palestinez ose, siç edhe e thotë, një qasje shumë të barabartë në konflikt. Këto raporte datojnë për një kohë të gjatë. Kjo është e vërtetë.

 

Por, nuk mund të arrijmë në përfundim nga kjo se ka një lloj mbështetjeje të drejtpërdrejtë ushtarake. Ekziston edhe një pyetje tjetër nëse roli i Rusisë ka rëndësi të tërthortë këtu. Unë do të argumentoja se për shkak të luftës në Ukrainë, për shkak të përkeqësimit të rëndë të raporteve Rusi-Perëndim dhe për rrjedhojë, ndryshimi gjeopolitik i raportit Rusi-Iran, është duke ia mundësuar Iranit që të ketë prani më të madhe në rajon. Prandaj, Irani ndihet edhe më i guximshëm. Irani i jep dronë dhe mbështetje tjetër Rusisë. Me gjasë do të marrë në këmbim një lloj ndihme nga Rusia. Rusët janë bërë më pak entuziastë që të ringjallet Marrëveshja bërthamore [që Irani arriti me fuqitë botërore më 2015]. Ata janë bërë më falës ndaj Iranit dhe kjo ndiejnë e përgjithshme e ‘guximit’ mund të jetë duke u manifestuar në këtë që po shohim tani. Pra, ka një Rusi, këtu ka një lidhje lufte me Ukrainën, por e shoh këtë lidhje si më të tërthortë sesa të drejtpërdrejtë.

 

 

Radio Evropa e Lirë: Në rregull, ju folët për tre pyetjet që planifikuam t’ju bënim. Pra, çfarë mund të përfitojë Rusia nga e gjithë kjo?

 

 

Hanna Notte: Edhe për këtë çështje jam me dy mendje. Në njërën anë mendoj se sigurisht që është e vërtetë se nxitja e paqëndrueshmërisë, tensioneve, dhunës në Lindjen e Mesme, nëse flasim në përgjithësi, është e dobishme për Rusinë tani. Nëse ata mund të nxisin kriza dhe paqëndrueshmëri diku tjetër dhe të largojnë vëmendjen e shteteve perëndimore nga Ukraina dhe nga krahu lindor i NATO-s, kjo është e dobishme në lojën më të gjerë gjeopolitike. Nëse një nënprodukt i asaj që shohim tani është gjetja e një çelësi në bisedimet e normalizimit izraelito-saudite, mendoj se kjo gjithashtu është e mirëpritur në Moskë, sepse raportet izraelito-saudite, janë nën tutelën amerikane. Pra, kjo disi paraqet përfitim për Rusinë.

 

 

Një aspekt i mundshëm negativ për ta, unë e shoh politikën e jashtme ruse në Lindjen e Mesme si një politikë që të bëjë me nxitje të paqëndrueshmërisë, paqëndrueshmërisë në nivel të ulët. Nuk e shoh se si do të ishte e dobishme për Rusinë nëse kjo do të përshkallëzohej në një luftë më të madhe, në një konfrontim Izrael-Iran, që po ashtu do të mund të përfshinte Libanin dhe Sirinë. Sepse rusët kanë baza ajrore dhe detare në Siri që janë shumë të rëndësishme për ta, dhe këto baza shfaqin fuqinë e Rusisë në Mesdheun Lindor. Ato baza janë të rëndësishme si qendra logjistike për rusët, në mënyrë që ata të vazhdojnë operacionet e tyre në Afrikë dhe Saleh… dhe [grupi rus i mercenarëve] Wagner po vazhdon operacionet në Afrikë. Pra, Siria është e rëndësishme.

Tani, nëse Siria destabilizohet nga një luftë më e gjerë, rusët jo domosdoshmërish tani kanë forcë ushtarake për t’u marrë me një situatë të tillë. Prandaj, nuk jam e sigurt nëse një luftë më e madhe domosdo është në interesin e tyre. Dhe është diçka që nuk iu duhet, mendoj se një përshkallëzim disi më i kalibruar do t’iu konvenonte më shumë atyre.

 

Radio Evropa e Lirë: Kjo ishte edhe pyetja jonë e radhës. Nëse Rusia ka fuqi ushtarake, ashtu siç kishte më herët për t’u përballur me një luftë më të gjerë rajonale, pasi rusët kanë investime të mëdha të kapaciteteve ushtarake tani në Ukrainë. A munden ata të luajnë në dy fusha njëkohësisht?

 

Hanna Notte: Kjo është një pyetje e mirë. Gjithçka do të varej se çfarë lloj përfshirjeje ruse do të kërkohej. Ata kanë mbajtur bazat e tyre në Siri. Ata kanë mbajtur shumicën e pajisjeve ushtarake në Siri. Por, ato kanë qenë të mjaftueshme për të mbajtur situatën nën kontroll në Siri, dhe viteve të fundit nuk ka pasur operacione të mëdha. Gjëja e vetme është se në verilindje të Sirisë janë ende 800-900 trupa amerikane dhe rusët i kanë ngacmuar intensivisht në gjashtë muajt e fundit sepse mendoj se ka, në planin afatmesëm, një strategji ruse që synon të largojë amerikanët nga Siria. Por, një luftë më e madhe? Kjo është një lojë krejt tjetër. Unë mendoj se raportet mes Rusisë dhe Iranit kanë ndryshuar sa i përket cilësisë. Por, megjithatë nuk mendoj se Rusia dëshiron të përkushtohet plotësisht në raportet me Iranin, pasi kjo do të prishte raportet që ka me Izraelin dhe shtetet e Gjirit.

Por, nëse do të ketë një luftë më të madhe dhe amerikanët mbështesnin fuqishëm Izraelin, siç edhe pritet, – amerikanët veçse kanë dërguar një avionmbajtëse në lindje të Mesdheut – nuk ka dyshim se në cilën anë do të rreshtoheshin amerikanët. Por, më pas pyetja që kam është: A do të duhet që Rusia të zgjedhë anë? A nuk do të ketë zgjidhje tjetër Rusia pos të zhytet edhe më tej në orbitën iraniane nëse ka një luftë të madhe? Ndoshta edhe do të detyrohen. Nuk jam e sigurt nëse ata e duan një gjë tillë dhe prandaj po ashtu nuk mendoj se rusët duan që zgjidhja të shkojë deri te një luftë më e madhe.

 

Radio Evropa e Lirë: Le të flasim për raportet që Moska ka këto ditë me Izraelin. A janë raporte të ftohta apo të ngrohta? Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka shprehur solidaritet me Izraelin. Si do t’i përshkruaje raportet e tyre këto ditë?

 

Hanna Notte: Ndoshta të vakëta, por më të mira që kur [kryeministri izraelit, Benjamin] Netanyahu mori pushtetin në dhjetor. Më herët ishin më të ftohta duke pasur parasysh reagimin e Izraelit pas sulmit në Buça. Ata e kritikuan Rusinë mjaft ashpër. Por, Izraeli deri sot nuk ka dërguar armë vdekjeprurëse në Ukrainë. Mendoj se kjo vlerësohet në Moskë dhe ata duan që ky vendim të mos ndryshojë. Pra, ka pasur tensione, por ende ka një raport mjaft të rëndësishëm tregtar.

 

Ka një diasporë të madhe ruse në Izrael, që daton para luftës në Ukrainë, por që është rritur edhe më shumë që kur nisi lufta në Ukrainë. Dhe nga këndvështrimi i Izraelit, më e rëndësishmja është se nuk ka konflikt mbi qiejt e Sirisë.

 

Kjo është arsyeja kryesore pse izraelitët kanë qenë kaq të kujdesshëm ndaj Rusisë dhe nuk iu bashkuan sanksioneve dhe nuk dhanë armë vdekjeprurëse për Ukrainën. Kështu, po, raportet e tyre kanë qenë më të luhatshme se zakonisht, por raportet personale midis Netanyahut dhe [presidentit rus, Vladimir] disi kanë ndihmuar. Ata kanë raporte të mira. Që kur Netanyahu formoi Qeverinë, raportet kanë qenë më të mira.

 

Por, nga këndvështrimi i Rusisë mendoj se mbajtja e izraelitëve larg një mbështetjeje të fuqishme për Kievin është e rëndësishme, gjë që është edhe një arsye tjetër që unë disi dështoj të bindem se rusët e mbështesin drejtpërdrejtë Hamasin sepse nëse do ta bënin, unë do të supozoja që izraelitët do ta zbulonin këtë gjë herët apo vonë. Dhe atëherë, nëse ju jeni Rusia do të humbisni plotësisht Izraelin dhe nuk jam aq e sigurt nëse do të dëshironit të rrezikonit që të ndodhte diçka e tillë, pasi që mbajtja e izraelitëve larg mbështetjes për Ukrainën ka qenë mjaft e rëndësishme për Rusinë./REL/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *