Ana Dajko do të jetë deputetja e koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” në Parlamentin e ri. Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar Adriatik Lapajn, i cili u tërhoq nga beteja për t’u bërë deputet, e këtë herë kërkonte nga gjykata që mandatin e deputetes ta merrte Kleana Xhuveli, e renditur e katërta në listën e mbyllur të kandidatëve për qarkun e Tiranës.
Më 23 korrik, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi vendosi të pranojë dorëheqjet nga kandidimi të kandidatëve të listës së mbyllur të koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, por Celibashi vendosi të njohë edhe të drejtën e kandidatëve për të ndryshuar qëndrim, duke ia dhënë mandatin Kleana Xhuvelit, e renditur e katërta në listën e mbyllur.
Lapaj, i cili pretendonte që duhej të pranoheshin të gjitha dorëheqjet dhe mandati t’i kalohej atij si më i votuari, shkoi në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve për të rrëzuar vendimin e Celibashit.
Por KAS argumentoi se nuk ekziston dorëheqja nga kandidimi pasi printohet fleta e votimit, dhe në çdo rast një deputet i zgjedhur mund ta japë dorëheqjen vetëm në Parlament.
Sipas KAS, Ilirjan Celibashi nuk ka asnjë tagër ligjor të pranojë apo refuzojë dorëheqje, ndaj mandati i deputetes i shkon Ana Dajkos, e renditur e para në listën e mbyllur të koalicionit mes Adriatik Lapajt e Endri Shabanit.
Pas vendimit të gjykatës sot, të gjithë deputetët në të ardhmen që dëshirojnë të lënë mandatin mund ta bëjnë këtë vetëm në Parlament.
Por ky vendim nuk prek vendimet e mëparshme të Ilirjan Celibashit. Vendimi i tij për të pranuar dorëheqjen e 12 kandidatëve në listën e mbyllur të partisë së drejtuar nga Tom Doshi dhe vendimi për t’i dhënë mandatin socialistes Zegjine Caushi pas dorëheqjes së kandidates Maldrita Bardho mbeten në fuqi, pasi askush nuk i ankimoi.
Vendimi i sotëm i Kolegjit shënon fundin e betejës ligjore për procesin e 11 majit dhe pritet që brenda pak ditësh Komisioni Rregullator të shpallë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare./vizionplus.tv





