Prokuroria në Kumanovë ka nisur hetimet për një vepër penale të mundshme që lidhet me thirrje që përmbajnë gjuhë të urrejtjes. Kjo pas brohoritjeve antishqiptare të bëra nga persona të panjohur gjatë një ndeshjeje basketbolli mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, të zhvilluar në Kumanovë dy ditë më parë.
Në ndeshjen ku ishin të pranishëm edhe zyrtarë të lartë, u dëgjuan shprehje si: “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur”, “dhoma gazi për shqiptarët” apo “Maqedoni e pastër”.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristjan Mickoski, i cili ishte i pranishëm, tha se nuk kishte dëgjuar thirrje të tilla, por megjithatë dënoi gjuhën dhe veprimet.
“Dua ta shfrytëzoj këtë rast për t’iu bashkuar dënimit të nacionalizmit dhe ksenofobisë, së pari për atë që ndodhi gjatë ndeshjes së basketbollit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë. Dua të përsëris edhe një herë: e dënoj në mënyrë absolute brohoritjen e pazakontë dhe të papranueshme të disa individëve, të cilët nuk gjetën mbështetje nga asnjë prej të pranishmëve në sallë”, tha Kryeministër i Maqedonisë së Veriut Mickoski.
Ngjarja ka nxitur reagime jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por edhe në Kosovë dhe në vendin tonë. Presidentja Vjosa Osmani tha se thirrjet janë të papranueshme dhe cenojnë frymën e bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë.
“Shqiptarët janë popull autokton në trojet e tyre, si dhe meritojnë të trajtohen me dinjitet dhe barazi, ashtu si çdo komunitet tjetër. U bëjmë thirrje institucioneve të Maqedonisë së Veriut që të ndërmarrin masa të menjëhershme kundër organizatorëve të këtyre thirrjeve, përgjegjësve dhe atyre që nxisin e përhapin urrejtje.”, Vjosa Osmani.
Më herët, edhe kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, dënoi thirrjet duke thënë se nuk gjejnë vend në asnjë hapësirë publike.
/vizionplus.tv





