Një nga kompanitë më të mëdha të nxjerrjes së naftës në vend, “Bankers Petroleum”, është vënë në qendër të një hetimi penal për evazion të përmasave të mëdha.
Autoritetet bëjnë me dije se kjo kompani, gjatë gjithë periudhës nga viti 2004 deri në vitin 2024, ka raportuar humbje të vazhdueshme, pavarësisht të ardhurave të mëdha nga shitjet dhe eksportet e naftës bruto.
Sipas Prokurorisë së Fierit, kompania ka realizuar shitje me vlerë rreth 532 miliardë lekë, por ka deklaruar shpenzime të fryra, duke raportuar humbje prej mbi 11.7 miliardë lekësh në total. Kjo ka rezultuar në mospagimin e tatim-fitimit për dy dekada dhe, njëkohësisht, në përfitime të padrejta përmes rimbursimeve të TVSH-së.
Kryeministri Edi Rama përmes rubrikës “Sy më sy”, komentoi hetimin e nisur nga Prokuroria për kompaninë “Bankers Petroleum”
Rama vlerësoi punën e organit të akuzës dhe u ndal edhe te çështja e koncesioneve të qeverisë së tij, duke bërë dallimin mes atyre të trashëguara dhe atyre të realizuara gjatë mandatit të tij.
Edi Rama: Ne kemi fituar me Bankers një arbitrazh dhe Bankers na detyrohet 240 mln euro. Shyqyr ka ardhur dita që Prokuroria investigon në mënyrë të pavarur dhe në këtë rast i heq kapelen prokurorisë që ka bërë këtë investimin dhe uroj që t’i nxjerrë të gjithë ujin e zi asaj ndërmarrjeje ku realisht ka pasur shumë problematika dhe është kostoja e një koncesioni të dhënë përpara se sa unë të merrja detyrën. Koncesionet që kemi bërë ne kanë bërë të mundur rrugën e Arbrit, pastrimin e qyteteve tona, pa asnjë kosto për qytetarët, sterilizimin e të gjithë instrumentave mjekësore, analiza laboratorike të një game shumë të gjere, pavarësisht se çfarë thuhet dhe këto pa kosto për publikun. Kur dikush shkon në spital, nuk paguan, zero. Dikur ishte ndryshe. S’kam asnjë problem sa i përket Bankers./vizionplus.tv





