Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut Vangjel Dule, deklaroi se 11 maji nuk plotësoi asnjë standard demokratik të zgjedhjeve.
Në një konferencë me gazetarët, Dule shfrytëzoi rezolutën e miratuar një dite më parë në parlamentin evropian duke vënë në dukje se gara nuk ishte e barabartë, PS përdori burimet shtetërore në fushatë dhe sipas tij fenomeni i shitblerjes së votës ndikoi në rezultatin përfundimtar.
“Nuk ka pasur zgjedhje më 11 maj”, tha Dule.
Sipas Dules pas procesit të 11 majit duhet të kishte pasur protesta, por qytetarët janë dorëzuar përballë padrejtësisë.
“Në çdo vend tjetër, pas një procesi të tillë si ai i 11 majit, protestat do të ishin të pandalshme. Por çfarë po ndodh? Ne kemi fenomene të tjera sociale që kanë ndodhur në vendin tonë. Qytetari im ndihet i mundur. Shoqëria jonë ndihet e mundur nga partia shtet”, shtoi ai.
Nga ana tjetër, Dule kritikoi edhe opozitën dhe strategjinë e saj në zgjedhjet parlamentare.
“Dështuam, sepse edhe njerëz nga radhët tanë u blenë, apo ranë viktima të presionit. Apo edhe fenomene të tjera, të cilat kanë të bëjnë me divergjenca brenda kampit opozitar”, u shpreh Vangjel Dule.
Të gjithë drejtuesit e partive që garuan në koalicion me PD dhe Berisha në 11 maj, kanë mbështetur qëndrimin e Berishës se 11 maji ishte farsë elektorale.
/vizionplus.tv





