Ministri Pirro Vengu, kandidat për deputet në listën e mbyllur të PS në Vlorë i është bashkuar maratonës zgjedhore në Vizion Plus. Gjatë bisedës me moderatoren Pranvera Borakaj, ministri Vengu nga Vlora, tha se procesi i numërimit të votave po shkon i qetë dhe sa i takon rezultateve të deritanishme, të publikuara nga KQZ, zoti Vengu tha se ritmi është pozitiv dhe PS synon të marrë 9 mandate nga 8 që ka aktualisht.
Ministri Vengu: Procesi i numërimit po shkon i qetë, pa ngarkesë dhe tension. Është një proces numërimi që po vijon, kemi ende shumë kuti për të numëruar por i gjithë trendi është jashtë zakonisht pozitiv. Jemi brenda pritshmërive dhe brenda ambicies tonë për këto zgjedhje. Duhet të konsiderojmë edhe votat e diasporës, kemi pasur pjesëmarrje të jashtëzakonshme nga diapsora. Besoj se jemi në një ritëm shumë pozitiv me rezultate siç i kishim parashikuar që na jep ambicien e një mandati të nëntë në Vlorë. Duhet të presim që të përfundojë i gjithë procesi.





