Nga Mimoza Ibra
Gjatë këtij sezoni veror, për pushuesit do të ketë më shumë hapësira publike plazhi në dispozicion.
“Është përmbysur raporti i parcelave publike me ato që do të menaxhohen nga subjektet private, sot që flasim kemi mbi 1 mijë hapësira publike për pushues që ti përdorin lirshmërisht në të gjthë vijën bregdetare të Shqipërisë”, tha Herida Duro – drejtore e Politikave dhe Strategjive të Turizmit, Ministria e Turizmit.
Plazhet publike do të kenë tabela sinjalizuese, roje bregdetare dhe në disa raste, edhe shezlongë, në varësi të menaxhimit që do të bëjë në terren secila bashki bregdetare.
“Do të jenë të menaxhuara nga njësitë bashkiake, që do të menaxhojnë pastrimin, mirëmbajtjen e këtyre zonave. Ka një rregullore bazike për stacionet publike të plazhit që si kritere bazë kanë kushtet higjieno-sanitare, mirëmbajtjen, pastërtinë e plazhit, do të kenë tabela sinjalizuese se ku dhe si zhvillohet plazhi, përfshirë edhe rojet bregdetare që do të jenë në mbikëqyrjen e këtyre plazheve. Është dhënë e drejta për njësitë vendore që mund të menaxhojnë plazhet publike. Vitin e kaluar kishim disa plazhe publike në Shkodër dhe Lezhë apo Sarandë, ku u krijuan plazhe të menaxhuara nga bashkitë dhe patën një sukses të mirë, një relevanë të kënaqshme sepse krijuan kushte komode edhe me shezlongë, edhe me çadra dhe që mund të jenë të menaxhuara sikur të ishin hapësira private. Do të jetë një model apo një formë tjetër e zhvillimit apo menaxhimit të këtyre plazheve, bashkitë sipas aftësive të tyre, do të mund të japin shembullin e mirë dhe të zgjerojnë këtë veprimtari”, u shpreh Herida Duro.
E drejta për të caktuar një tarifë minimale për pushuesit për shfrytëzimin e hapësirave publike të plazhit i është lënë secilës bashki, sipas nevojave për mirëmbajtjen e tyre.
/vizionplus.tv





