2 në 20 gra vuajnë nga pre-eklamsia një prej komplikacioneve më të shpeshta që ndodhin gjatë periudhës së shtatzënisë. Mjekët specialistë rendisin disa nga shkaqet kryesore të këtij komplikacioni.
“Pre-eklamsia është një sëmundje shumë e shpeshtë, shumë më e shpeshtë nga çfarë dinë dhe njohin gratë shtatzëna. Pretendohet që shkaku kryesor i zhvillimit të kësaj sëmundje pas javës së 20 mund të jetë një problem i shfaqur në lidhje me placentën, pra organi kryesor që lidh nënën dhe fetusin. Mosha e lartë e gruas, pra një grua që është mbi moshën 36-37 vjeç, obeziteti, duhanpirja, dhe kur është e trashëguar”, thotë mjekja gjinekologe, Duarda Ismaili.
Duarda Ismaili, gjinekologe nënvizon disa nga simptomat më të zakonshme, ndërsa këshillon të gjitha gratë shtatzëna për më shumë kujdes dhe kontrolle rutinë.
“Simptomat në të zakonshme janë një prezencë e një tensioni të lartë arterial, mund të jenë pobleme me shikimin, deri në simptoma të konvulsioneve. Përveç vizitave që ju kërkojnë mjekët, kontrollet laboratorike dhe matja, monitorimi personal i gruas për lëvizshmërinë e bebit dhe matjes së tensionit duhet të jetë i vazhdueshëm”, thotë gjinekologia.
Pre-eklampsia e patrajtuar mund të çojë në një gjendje shumë më serioze deri në dëmtim të mëlçisë dhe komplikime të tjera./vizionplus.tv





