Uefa ka dorëzuar në federatën shqiptare të futbollit disa raporte të kompanive të monitorimit të basteve, ku sinjalizohen disa ndeshje të dyshuara si të trukuara në futbollin shqiptar. Lajmi u bë i ditur në emisionin “Studio Sport” me Vilma Masha në Vizion Plus, nga gazetari sportiv Jorgis Memo.
“Është fatkeqesi në fakt që rikthehemi disa vite pas me lajme të tilla. Bëhet fjalë për disa ndeshje të sinjalizuara në futbollin tonë gjatë javëve të fundit, sidomos në kategorinë e parë. Uefa ka një kompani të monitorimit të basteve për të gjithë europën. Raportet në federatë vijnë çdo vit. Kanë ardhur edhe këtë vit, mirëpo javët e fundit ka pasur një sinjal të fortë, sidomos për disa ndeshje të kategorisë së parë. Nuk dua të përmend emra klubesh, por realisht janë disa ndeshje”, u shpreh mes të tjerash Jorgis Memo.
Debati në studio vijoi me shqetësimin e krijuar herë pas herë me ndeshje të dyshuara. Luan Pinari, aktualisht në funksionin e drejtorit tek Dinamo City tha se tolerimet janë të pashmangshme në futboll. Moderatorja vilma Masha kërkoi të ndahen mirë dy aspekte: aleanca dhe teatri.
“Interesat apo aleancat e një klubi apo të një tjetri janë të pashmangshme. Kur kemi parë në europian “biskota”, pra marrëveshje në heshtje mes ekipeve për një rezultat të caktuar, imagjino çfarë ndodh në kampionate kombëtare. Nuk shmangen dot aleancat. Ja po ju jap një shembull; supozojmë Dinamos nuk i intereson që Elbasani të futet në katërshe sepse katër ekipet e kupës dalin në Europë. E çfarë duhet të bëj unë? Pra po them që këto gjëra njihen. Pastaj fiksimet e ndeshjeve, apo rezultatet në kokë, janë tjetër gjë, janë të dënueshme”, u shpreh Luan Pinari në Studio Sport./ Vizion Plus





